Qytetarët e dëshpëruar kinezë, në pamundësi për të blerë maska për fytyrën, kanë vendosur pëlhura frutash dhe helmeta të bëra me shishe plastike për t’u mbrojtur kundër koronavirusit vdekjeprurës.
Kompanitë kanë punuar jashtë orarit për të furnizuar qytetarët me maska mbrojtëse mes rritjes së kërkesës, pasi rastet e virusit vdekjeprurës sipas Daily Mail janë rritur të enjten deri në 8200.
Por postimet në mediat sociale tregojnë se si njerëzit po përdorin në vend të maskave lëkurat e mandarinave dhe portokalleve, po ashtu edhe shishe me ujë.
Menjëherë pas këtyre pamjeve, në rrjet kanë nisur talljet me krizën shëndetësore duke u dhënë kinezëve dhe alternativa të tjera absurde, përfshirë këtu edhe lakra.
E gjithë kjo vjen pasi zyrtarët e shëndetësisë në Kinë paralajmëruan njerëzit që të mos përdorin përsëri maskat e tyre mbrojtëse, për shkak të videove që qarkulluan ku ata i zienin maskat e tyre kirurgjikale dhe i varnin për t’u tharë.
Ekspertët mjekësorë paralajmëruan se kjo zvogëlon në masë të madhe efektivitetin e maskave, të cilat duhet të hidhen pas vetëm katër orësh përdorimi.