Dy persona kanë rezultuar pozitivë pas testeve për koronavirusin në Mbretërinë e Bashkuar. Siç shkruan BBC, dy personat janë anëtarë të së njëjtës familje dhe po marrin kujdes të specializuar nga Shpërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS).
Asnjë detaj tjetër nuk po zbulohet në lidhje me identitetin e tyre ose vendin ku ata po trajtohen.
Prof Chris Whitty, i cili është shefi mjekësor për Anglinë tha: “NHS është jashtëzakonisht i përgatitur dhe i mësuar për të menaxhuar infeksionet dhe ne tashmë jemi duke punuar me shpejtësi për të identifikuar çdo kontakt që pacientët kishin, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.”
Prof Whitty tha që Mbretëria e Bashkuar po bashkëpunonte ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) lidhur me koronavirusin.
OBSH e shpalli shpërthimin dje një emergjencë globale. Të paktën 213 njerëz kanë vdekur deri tani në Kinë nga virusi, kryesisht në provincën e Hubeit, që është edhe epiqendra e shpërthimit të virusit.
Gati 10,000 raste të konfirmuara të virusit janë regjistruar në shkallë vendi. 98 raste të virusit janë shënuar në 18 vende të tjera.
Britania po evakuon 83 britanikë dhe 27 shtetas të huaj nga qyteti i Wuhan-it në Kinë. Pasagjerët do të dërgohen në spital dhe do vendosen në karantinë për dy javë.