Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dalë sot në një Konferencë të Jashtëzakonshme për Mediat, për të dhënë disa detaje lidhur me vendimin e qeverisë për të miratuar paketën e famshme ‘ANTI-KÇK’.
Gjonaj bëri me dije se pjesë e paketës Anti-KÇK janë ato që për shkak të sistemit “të kalbur dhe të korruptuar të drejtësisë”, nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë.
“Pas një procesi diskutimesh shterues mes përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, ministrisë së Brendshme përfshirë këtu dhe zyrën e kryeministrit, policinë e Shtetit, shërbimet partnere dhe ekspertët vendas dhe të huaj të reformës në drejtësi, sot kemi miratuar në mbledhjen e qeverisë paketën ligjore ‘anti-KÇK’.
Nëpërmjet kësaj pakete forcohet dhe ashpërsohet lufta kundër krimit të organizuar dhe të gjithë atyre që mendojnë në këtë vend se mund të sfidojnë forcën e ligjit.
Vendimet e miratuara sot sjellin ndryshime në ligjin antimafia, në ligjin e policisë së Shtetit, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara si dhe kodin penal. Të gjitha këto ndryshime së bashku me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë tashmë vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë.
Akti thelbësor i paketës ‘anti-kçk’ të miratuar sot nga qeveria shqiptare është akt normativ i cili hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata dhe grupe të strukturuara kriminale në çdo grup tjetër kriminal apo terrorist apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda. Pjesë e paketës ‘anti KÇK’ që shënjestron pasurinë janë dhe të gjithë ata që ndonëse të akuzuar për kryerjen e krimeve të rënda apo përfshirje në krim të organizuar ose terrorizëm për shkak të sistemit të kalbur dhe të korruptuar të drejtësisë nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë. Të gjithë këta individë, qofshin të dënuar apo të akuzuar do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike në posedim të tyre apo të familjarëve të tyre burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i pajustifikuar. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar ligjshmërinë e kësaj pasurie”.- tha Gjonaj.