Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim shkon në Durrës: Doja t’i shihja vetë dëmet e tërmetit


Ambasadorja e re e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka vizituar sot në Durrës banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ajo foli në një deklaratë për mediat, ku tha se donte t’i shihte vetë nga afër dëmet e shkaktuara dhe përpjekjet që po bëhen për t’u ardhur në ndihmë banorëve të mbetur në qiell të hapur.

“Erdha pranë kryqit të kuq shqiptar se doja të shihja personalisht jo vetëm dëmet por dhe përpjekjet që po bëhen për të rikuperuar, doja ta dinin shqiptarët që miqtë amerikanë janë në mbështetje të Shqipërisë. U preka shumë tek pashë kontribute taktike si pako me ushqime që ne po i japim banorëve. Jemi shumë krenarë që në ato kuti tregohet që kjo është dhuratë nga populli amerikan.
Jam informuar se ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të japin asistencë civile e ushtarake. Përveç personave që erdhën për të shpëtuar njerëz nën rrënoja patëm inxhinierë që erdhën për të parë se ndërtesat janë të sigurta. Do vijojmë të punojmë me qeverinë shqiptare ngushtësisht për të bërë gjithcka mundemi”, tha ambasadorja Kim.

Ambasadorja e re e SHBA-së ka ardhur para pak ditësh në Tiranë dhe ka pasur një axhendë shumë intensive takimesh me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Vetëm një natë më parë Kim zhvilloi një kokteil, ku morën pjesë disa nga figurat politike në vend, mes tyre kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Gjatë fjalës së parë në ceremoninë e pritjes së saj prezantuese, Kim theksoi edhe prioritetet që do ndjekë gjatë mandatit të saj si kryediplomate në vendin tonë. Si prioritet të parë Kim, përcaktoi forcimin e Shqipërisë për të qenë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion i fortë sigurie.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *