Vendosni fjalën kyçe....

Basha tha se ka marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, Balla: I vlen si fantazi e re


Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit të kreut të PD-së Lulzim Basha, se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas miratimit të Reformës Zgjedhore.

Balla e quan këtë një fantazi të kryedemokratit, ndërsa shton se zgjedhjet e parakohshme nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e diskutimit për Reformën Zgjedhore.

“QARTËSIM

Lulzim Basha paska “konfirmuar” marrëvëshje për zgjedhje të parakohshme! Mbase kjo i vlen si një fantazi e re për të mbajtur ca muaj të tjerë me oksigjen simotrën dhe sivëllezërit e aleancës jashtëparlamentare dhe e mirekuptojmë. Por zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e dialogut me atë aleancë, dmth as me Lulzim Bashën.

Dialogu ka nisur për Reformën Zgjedhore dhe brenda kornizës së qartë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR. Prandaj nga Lulzim Basha dhe aleanca jashtëparlamentare mirëpritet çdo kontribut me ide për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe për cdo rekomandim tjetër. Idetë jashtë kësaj kornize kryetari i PD mund t’i diskutojë dhe konfirmojë jashtë Parlamentit me aleancën e tij, por jo me Partinë Socialiste.”– thotë Balla.

Më tej Balla i bën thirrje Bashës, që të mos fyejë deputetët e opozitës së re në Kuvend, duke i kujtuar se me votat e tyre do të kalojë dhe Kodi Zgjedhor. Balla në fund shton se e bëri ai këtë sqarim, pasi sipas tij kryeministri Edi Rama është i zënë me angazhime të tjera dhe s’ka kohë t’i përgjigjet Bashës.

“Ndërkohë i kujtojmë Lulzim Bashës se Kodi Zgjedhor miratohet me 84 vota që Partia Socialiste nuk i ka! Prandaj ai bën mirë të mos i fyejë e ofendojë deputetët që janë në Kuvend me firmën e tij dhe të para-ardhësit të Monika Kryemadhit. Sepse jo për gjë, po nesër do të duhet edhe vota e tyre për të mbështetur dhe konfirmuar rezultatet e dialogut që po zhvillojmë dhe Lulzim Basha bën mirë të mos i provokojë në dëm të reformës!

* Sqaroj se e dhashë unë këtë pergjigje, sepse Kryetari Rama është plotësisht i angazhuar me Rindërtimin dhe angazhimet e tjera të mëdha si Kryeministër dhe si Kryetar i OSBE gjatë vitit 2020. Prandaj as nuk merret asnjë minutë dhe as nuk mund të prononcohet për çështjet që lidhen me bashkëpunimet apo ndërveprimet partiake.

Kjo vlen për këtë herë dhe për të gjitha herët kur partia do të reagojë politikisht ndaj PD-së ose Lulzim Bashës lidhur me Reformën Zgjedhore, ndërkohë ecuria e dialogut me përfaqësuesit e PD i është besuar unanimisht përfaqësuesit tonë Damian Gjiknuri.”– thotë Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *