Është evakuuar studentja e fundit shqiptare nga qyteti kinez Ëuhan ku ka shpërthyer koronavirusi vdekjeprurës.
Studentja Silva Doçi ka udhëtuar me një avion turk me 45 persona të evakuuar dhe ndodhet në Ankara.
Sipas testeve paraprake ajo nuk rezulton e prekur nga koronavirusi, por megjithatë do të qëndrojë në karantinë për 14 ditë, së bashku me të gjithë të evakuuarit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive diplomatike në Pekin dhe Ankara, evakuimi i studentes shqiptare, Silva Doçi është bërë në bashkëpunim me autoritetet turke.
Ajo u evakuua pas një përpjekjeje të Turqisë për të kthyer shtetasit e vet në vend, por me këtë rast u erdhi në ndihmë edhe disa shtetasve të huaj të vendeve fqinje. NË këtë rast edhe Shqipërisë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm me Ambasadat shqiptare në Pekin dhe Ankara, kanë punuar intensivisht për të finalizuar me sukses largimin nga Wuhan të studentes shqiptare Silva Doçi, e cila mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet, pas masave të marra për izolimin e tij në 23 janar 2020. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duke e ndjekur me prioritet çështjen e studentes shqiptare, në kushtet e vështira kur askush nuk mund të hynte apo dilte në Wuhan, prej ditësh ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan.
Në vijim të komunikimeve, pala turke u dakordësua që studentja Silva Doçi të udhëtojë në avionin ambulanc turk. Pas përfundimit të procedurave zyrtare me autoritetet kineze për lejimin e largimit të tyre nga Wuhan, avioni nga Kina u nis sot drejt aeroportit ushtarak në Ankara. Studentja shqiptare, Silva Doçi ka kryer të gjitha testet dhe ka dalë negative për virusin nCOV, por udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë. Çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t`i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm.
Për këtë fazë evakuimi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdoi kontaktet e pandërprera me Ministrinë e Jashtme turke, me qëllim vijimin e regjimit të karantinës së studentes shqiptare në Turqi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjithë procedurën e evakuimit të studentes shqiptare, deri në mbërritjen e saj pranë familjes në Shqipëri”, njofton ministria e Jashtme shqiptare.