Britania e Madhe nga sot nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian, pas 47 viteve të anëtarësimit dhe më shumë se tre vjet pasi votoi për këtë në një referendum.
Momenti historik, i cili ndodhi në 23:00, u prit me festime por edhe me protesta anti-Brexit. Në Skoci u ndezën qirinj nga ata që donin të qëndronin në BE, ndërsa pjesa tjetër që mezi e priste këtë moment u mblodh në Sheshin e Parlamentit në Londër për të festuar.
Boris Johnson është zotuar të çojë vendin përpara. Në një mesazh në mediat sociale, një orë para largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, ai tha: “Për shumë njerëz ky është një moment mahnitës shprese, një moment që ata menduan se nuk do të vinte kurrë.
Dhe ka shumë natyrisht që ndiejnë një ndjenjë ankthi dhe humbjeje. Dhe, natyrisht, ekziston një grup i tretë – mbase më i madhi – i cili kishte filluar të shqetësohej se e gjithë grindja politike nuk do të merrte fund kurrë.
Unë i kuptoj të gjitha ato ndjenja dhe punën tonë pasi qeveria – puna ime – është për ta mbledhur këtë vend tani dhe të na çojë përpara”.
Johnson shtoi se “për të gjitha pikat e saj të forta dhe për të gjitha cilësitë e saj të admirueshme, BE ka evoluar mbi 50 vjet në një drejtim që nuk i përshtatet më këtij vendi”.
“Gjëja më e rëndësishme për të thënë sonte është se ky nuk është një fund por një fillim,” tha ai, dhe “një moment i rinovimit dhe ndryshimit të vërtetë kombëtar”.
Britania tani e tutje do të konsiderohet nga BE-ja si shtet i tretë dhe Përfaqësimi i saj i Përhershëm në këtë bllok do të shndërrohet në mision të jashtëm.
Mbështetësit e Brexit sikurse shkruan BBC, realizuan një sërë festash në klube nate dhe klube sociale në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa priteshin minutat për largimin zyrtar të BE-së.
Qindra njerëz u mblodhën në Sheshin e Parlamentit për të festuar për Brexit-in, duke kënduar këngë patriotike dhe fjalime brohoritëse, mes tyre edhe Nigel Farage.
Kreu i Partisë së Brexit tha: “Le të festojmë sonte siç nuk kemi bërë kurrë më parë. Ky është momenti më i madh në historinë moderne të kombit tonë të madh”.