Policia e Shtetit ka reaguar pas raportimit nga mediat përtej Adriatikut se një punonjëse e uniformave blu është kapur me kokainë në Itali.
Në reagimin e saj Policia e Shtetit sqaron se shtetasja me iniciale F.Z 29-vjeç nuk është pjesë e strukturave të policisë që prej viti 2017.
“Në lidhje me një shtetase të arrestuar me lëndë narkotike nga autoritet policore italiane e cila është prezantuar si punonjëse e Policisë shqiptare sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasja e arrestuar F. Z., 29 vjeçe nuk është më pjesë e Policisë së Shtetit që prej vitit 2017.
Ajo ka qenë efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe në vitin 2017 është larguar nga Policia e Shtetit pasi nuk fitoi më të drejtën për tu pajisur me Çertifikatë Sigurie.
Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët e Karabinierisë në Milano, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Bari për rastin në fjalë.
Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët me qëllim evidentimin dhe goditjen e elementëve kriminal që ushtrojnë veprimtari kriminale”-thuhet në njoftimin e policisë.