Nga operacioni “Forca e Ligjit” për nismën e re “Anti KÇK” ku efektivët e policisë dolën në terren kanë dalë të dhënat e para nga aksioni në Shijak për të sekuestruar pasuritë e fisit Hajri.
Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestron e parë mbi objektin Kompleksi i Shërbimeve Vila Golden dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve që ndodhet në kryqëzimin Pjesë-Xhafzotaj-Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.
Hajri është dënuar me burg nga autoritetet italiane të drejtësisë me udhë arrestin e datës 18.08. 2015 për veprën penale trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim. Aktualisht Hajri ndodhet ne kërkim për veprën penale rrëmbim, ose mbajtje peng e personit, ngjarje kjo qe lidhet me vdekjen e Jan Prengës.
Mes të tjerash bëhet e ditur se policia u kishte çuar familjes Hajri formular për të justifikuar pasurinë, pasi dyshohet se ajo është ngritur nga veprimtari kriminale.