Jo vetëm për nga përhapja e infeksionit, por edhe numri i viktimave në Kinë nga koronavirusi i ri, e ka kaluar numrin e viktimave nga epidemia e SARS-it 17 vjet më parë.
Siç raportoi sot Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë, numri i vdekjeve nga koronavirusi i panjohur më parë në Kinë është rritur në 361.
Ky numër tejkalon 349 vdekjet nga epidemia e rëndë e sindromës së frymëmarrjes akute (SARS) në territorin e Kinës, në vitin 2003.
Ndërkohë, siç shkruan RT, gjurmët e virusit u gjetën edhe në dorezë dere të përdorur nga një pacient.
Nga 57 vdekjet e raportuara për ditën e dielë, 56 ishin vetëm në provincën qendrore të Hubeit.
Deri më tani, vdekja e vetme nga virusi jashtë territorit të Kinës është regjistruar në Filipine.
Që nga fillimi i shpërthimit në fund të dhjetorit, janë regjistruar në Kinë 17,205 raste të koronavirusit.
Trupat e ushtrisë të vendosur në Wuhan kanë marrë përsipër shpërndarjen e ushqimit dhe nevojat themelore të qytetarëve. Autoritetet gjithashtu urdhëruan të rritnin prodhimin e maskave për fytyrën.
Ndërkohë, kompanitë bioteknike në Wuhan kanë kryer eksperimente mbi minjtë dhe majmunët, me shpresën e zhvillimit të vaksinave. Shkencëtarët identifikuan tre ilaçe “efektive” në ngadalësimin e përhapjes së virusit në strukturën e qelizave, megjithatë, ato nuk janë testuar ende te njerëzit.