Demokrati Alibeaj ka deklaruar sot nga selia blu, se përtej propagandës së Ramës për të goditur pasuritë e paligjshme të krimit të organizuar, pushteti i tij varet nga krimi i organizuar.
Ai tha ndër të tjera se në qeverinë e Ramës, krimi u bë pjesë e politikës e kriminelët u bënë deputetë e kryebashkiakë, u bënë biznesmenë që marrin fonde publike.
‘Edi Rama paralajmëroi me bujë se sot do të niste goditja e madhe kundër krimit të organizuar, duke goditur pasuritë e paligjshme të tij. Asgjë nuk ka për të bërë përtej propagandës, sepse pushteti i Edi Ramës varet nga krimi i organizuar, nga trafikantët e dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nga vrasësit dhe kriminelët më të rrezikshëm të vendit, që blejnë dhe sigurojnë vota për pushtetin e tij. Në qeverinë e Edi Ramës krimi u bë pjesë e politikës. Kriminelët u bënë deputetë, u bënë kryebashkiakë. Në rastet kur ata nuk hynë në politikë drejtpërsëdrejti, kriminelët krijuan lidhjet me pushtetin e Edi Ramës dhe u bënë biznesmenë të fuqishëm, duke marrë fonde publike nga tenderat korruptive të qeverisë së tij.’ – tha Alibeaj.
Më tej demokrati tha se Rama po bën propagandë e po tallet me shqiptarët duke sjellë në vëmendje rastin e Edmond Begos, që sipas Alibeajt ka përfituar 14 milionë euro fonde nga miqësia e tij me numrin 2 të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Rama që ta nisë pikërisht me Begon zbatimin e ligjit të prezantuar.
‘Lufta kundër krimit të organizuar dhe pasurive të tij të paligjshme është emergjencë kombëtare, por kjo e Edi Ramës është vetëm propagandë dhe tallje me shqiptarët, në përpjekje për të të mbuluar bashkëqeverisjen e tij me krimin. Nëse nuk do të ishte kështu, trafikanti ndërkombëtar i drogës Edmond Bego nuk do të kishte marrë nga qeveria e korruptuar e Edi Ramës tendera, leje dhe licenca. Që kur lidhi miqësi me Taulant Ballën, numrin 2 të Partisë Socialite, Edmond Bego ka marrë 14 milionë euro para publike, në shkelje të ligjit të prokurimit publik, i cili përjashton nga pjesëmarrja në tender personat e dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Le ta nisë zbatimin e ligjit anti KÇK me goditjen e trafikantëve të dënuar të drogës dhe pasurive të tyre të paligjshme, si Edmond Bego i Taulant Ballës, për të cilin, bashkë me Erion Veliajn, ndryshuan rrjedhën e lumit të Lanës, duke i hapur rrugën pastrimit të 60 milionë eurove. Miku trafikant i Taulant Ballës është vetëm një shembull se Edi Rama, i kapur në flagrancë me krimin e organizuar, po bën makiazh me ligje fasadë për të fshehur të vërtetën e bashkëqeverisjes së tij me krimin dhe pasurimin e krimit me paratë e shqiptarëve.’ – mbylli deklaratën demokrati.