Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka folur në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, në Report Tv për koncesionet e dhëna nga qeveria Rama, të cilët i quajti korruptive që PD-ja do i anulojë sapo të vijë në pushtet.
Vokshi foli me gjuhën e shifrave, duke thënë se janë tregues se koncesionet nuk kanë në fokus qytetarët, por fitimin e “oligarkëve”. Më konkretisht, një nga këto koncesione që ajo i quan korruptive është check-up.
“Çdo mjek ka një target mujor dhe nëse nuk e arrin, atëherë ai gjobitet, pra iu mbahet nga paga. Detyrohet që të jap gjakun e vetë ose të familjarëve. Këto raste janë denoncuar, është fare e lehtë për të parë mostrat e analizave, SPAK ta hetojë. Madje ka pacientë që kryejnë check-up tre herë në vit, ndërkohë që duhet ta bëjnë një herë në vit“-tha Vokshi, teksa solli një rast denoncimi që ka shkuar në PD.
“311 mijë raste të kryera të check-up në 2016, nuk është numër real. Më tha një qytetare “nuk e kam bërë Check up, por në e- albania i dilte që po”. Nuk e denonconte dot sepse ishte mësuese. Është një shtet i tërë në këmbë për të rritur numrin e analizave. Edhe administrata e ka me detyrim. Pavarësisht kësaj, që është me detyrim, nuk është arritur dot numri 475 mijë niveli për të cilën paguhej koncesionari. Nga 20 laboratorë janë ngritur vetëm 3“- shtoi ish- deputetja.