Vendosni fjalën kyçe....

Autoritetet e kërcënuan të heshtte, ky është mjeku kinez që e zbuloi i pari shpërthimin e koronavirusit


Në fillim të janarit, autoritetet në qytetin kinez të Wuhan po përpiqeshin të mbanin lajmet për koronavirusin e ri të mos qarkullonin. Kur një mjek u përpoq të paralajmëronte mjekët e tjerë për shpërthimin e koronavirusit, policia i bëri një vizitë dhe i tha të ndalonte. Një muaj më vonë ai po konsiderohet si hero, pasi tregoi historinë e tij nga shtrati i spitalit.

“Përshëndetje të gjithëve, ky është Li Wenliang, një okulist në Spitalin Qendror Wuhan”, fillon postimi.

Siç shkruan BBC, Dr Li ishte duke punuar në qendrën e shpërthimit të virusit në dhjetor kur ai vuri re shtatë raste të një virusi që ai fillismiht mendonte se ishte Sars – virusi që çoi në një epidemi globale në 2003-in. Rastet mendohej se vinin nga tregu i produkteve të detit në Wuhan dhe pacientët ishin vendosur në karantinë në spitalin ku ai punonte.

Më 30 dhjetor ai u dërgoi një mesazh mjekëve të tjerë në një grup bisede duke i paralajmëruar ata për shpërthimin e virusit dhe i këshillonte që ata të veshin rroba mbrojtëse për të shmangur infeksionin.

Ajo që Dr.Li nuk e dinte atëherë ishte se sëmundja që ishte zbuluar ishte një koronavirus krejtësisht i ri.

Katër ditë më vonë ai pati një vizitë nga zyrtarë të Byrosë së Sigurisë Publike, të cilët i thanë të nënshkruajë një letër. Në letër ai u akuzua për “komente të rreme” që kishin “trazuar rëndë rendin shoqëror”.

“Ne paralajmërojmë solemnisht: Nëse vazhdoni të jeni kokëfortë, me një pafytyrë të tillë dhe vazhdoni këtë veprimtari të paligjshme, do të silleni para drejtësisë – a kuptohet kjo?”

 Nën shkrimin e dorës së Dr. Li lexohet: “Po, e kuptoj”. Ai ishte një nga tetë personat që policia tha se po hetohej për “përhapjen e thashethemeve”.

Në fund të janarit, Dr.Li publikoi një kopje të letrës në Weibo dhe shpjegoi se çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë, autoritetet lokale i kishin kërkuar falje, por kjo falje erdhi shumë vonë.

Për javët e para të janarit zyrtarët në Wuhan këmbëngulnin që vetëm ata që ishin në kontakt me kafshë të infektuara mund ta merrnin virusin. Asnjë udhëzim nuk u dha për të mbrojtur mjekët.

Por vetëm një javë pas vizitës që i bëri polici, Dr.Li po trajtonte një grua me glaukoma. Ai nuk e dinte që ajo ishte  e infektuar me koronavirusin e ri.

Në postimin e tij në Weibo ai përshkruan se si më 10 janar filloi të kollitej, ditën tjetër ai kishte ethe dhe dy ditë më vonë ishte në spital. Prindërit e tij gjithashtu u sëmurën dhe u dërguan në spital.

Ishte 10 ditë më vonë, më 20 janar, kur Kina shpalli emergjencën. Dr.Li thotë se ai ishte testuar disa herë për koronavirus, por të gjithë testet u kthyen negative.

Më 30 janar ai postoi se më në fund testi i kishte rezultuar pozitiv. Nuk është për t’u habitur që postimi i tij mori mijëra komente dhe fjalë mbështetëse.

“Dr Li Wenliang është një hero”, tha një përdorues i rrjetit social.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *