Dy zyrtarë në Kinë janë shkarkuar nga postet e tyre, pasi një i mitur i cili vuante nga paraliza cerebrale humbi jetën kur babai i tij, i cili ishte dhe personi i vetëm që kujdesej për të, u vendos në karantinë për shkak se dyshohej se ishte prekur nga koronavirusi.
Siç shkruan BBC, 16-vjeçari Yan Cheng, u gjet i vdekur të mërkurën, një javë pasi babai dhe vëllai i tij u vendosën në karantinë.
Sipas raportimeve, djali ishte ushqyer vetëm dy herë gjatë gjithë kësaj kohe. Si sekretari lokal i Partisë Komuniste ashtu edhe kryetari i bashkisë në qytetin Huajiahe, janë pushuar nga puna.
Historia e Yan Cheng ka pushtuar faqet e mediave sociale. Familja jetonte në provincën e Hubeit, e cila është dhe epiqendra e shpërthimit të koronavirusit.
Sipas mediave lokale, babai i të riut kishte postuar në ‘Weibo’ duke bërë apel për ndihmë dhe duke shpjeguar se djali i tij kishte mbetur vetëm, pa ushqim dhe pa ujë.
Zyrtarët kanë njoftuar se do të kryhet një hetim për vdekjen e djalit.