Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka takuar anëtarët e komunitetit shqiptar në New York.
Ajo ndodhet në një vizitë në SHBA dhe gjatë bashkëbisedimit me ta ka theksuar se klasa politike shqiptare është treguar e pavëmendshme dhe moskokëçarëse për realizimin e reformave që do ndihmonin në integrimin e vendit e do ndalnin shpopullimin e Shqipërisë.
‘Në vazhdën e vizitës në SHBA, zhvillova një takim me anëtarë të komunitetit shqiptar në New York. Në takim ishin të pranishëm mbi 300 anëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët ishin mbledhur për të zhvilluar një bashkëbisedim. Mes të tjerash u tregova se në takimet e shumta që kam zhvilluar me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA, jam ndjerë krenare për arritjet e tyre realisht suprizuese, por njëkohësisht ndjej edhe dhimbje, që ne si klasë politike jemi treguar të pavëmendshëm dhe indiferent për të realizuar reformat ekonomike dhe avancuar me shpejtësi në integrimin e vendit, për të bërë të mundur ndaljen e shpopullimit dhe hemorragjinë e trurit dhe të pjesës më energjike të Shqipërisë rinisë sonë, që i kushton shumë kombit dhe vendit.’ – shkruan Kryemadhi në Facebook.
Më tej, Kryemadhi shkruan se LSI-ja po përgatit rikthimin e të rinjve dhe të rejave nga emigrimi, për rritjen e ekonomisë dhe kthimin e besimit te familjet shqiptare nëpërmjet uljes së taksave, rritjes së pagave e subvencioneve.
‘Gjithashtu u fola edhe për iniciativën që LSI po përgatit për rikthimin e të rinjve dhe të rejave nga emigrimi dhe sesi Shqipëria duhet të përgatitet që kthimi i tyre të jetë mundësi për të rritur ekonominë shqiptare dhe kjo t’iu kthejë besimin familjeve të reja shqiptare që kanë më shumë mundësi në Shqipëri se në mërgim. Kjo duket utopi, por ulja e taksave, paga të mirëpaguara, subvencione për profesionin e bujqësisë që është shumë i vështirë por i domosdoshëm për jetë të shëndetshme, për fëmijët shqiptarë. Garantimin e arsimit dhe shëndetësisë cilësore.’ – shkruan më tej ajo.
Në fund, kryetarja e LSI-së thekson se është detyra e politikës që të ecë më shpejt për të frenuar zbrazjen e plakjen e vendit.
‘Kjo është detyra jonë si politikë dhe ne duhet të ecim shpejt, sepse Shqipëria po zbrazet dhe po plaket me ritme shumë të shpejta. Shumë prej shqiptarëve punojnë dhe drejtojnë kompani të mëdha zyra legale, banka dhe janë dinjitozë në profesionet e tyre. Ndoshta sot Shqipëria nuk iu ofron mundësi, por ne duhet të punojmë që t’iu krijojmë mundësinë që të vijnë dhe idetë e tyre dhe projektet e tyre t’i zhvillojnë në Shqipëri.’ – mbyll reagimin e saj Kryemadhi.