Vendosni fjalën kyçe....

Në gjurmët e Edi Ramës – Ekzibicionet mahnitëse të OFL-së


Zëdhënësja e OFL-së i habiti të gjithë sot kur doli në një deklaratë për shtyp, me kapele në kokë dhe me syze dielli, për t’i bërë një kërkesë atij që konsiderohet si ish-kreu i bandës së Durrësit – Lulzim Berishës. Kërkesa ishte për t’i kërkuar atij të deklaronte pasurinë brenda 48 orëve.

Por më shumë se kjo, vëmendjen e tërhoqi pikërisht paraqitja e zëdhënëses me zyze e kapele.

Rrjeti shpërtheu në komente në videon e transmetuar nga kryeministri Edi Rama në “Facebook”, i cili për hir të së vërtetës kohët e fundit e ka kënaqur rrjetin me shfaqje të tilla. Më shumë se të tremben kriminelët, këto dy ditë po na shtohet e qeshura.

Ndjekësve të kryeministrit nuk u kanë shpëtuar videot ekzibicioniste të fundit, të Operacionit Forca e Ligjit (OFL).

Para pak ditësh kryeministri na serviri me një video nga stërvitja e efektivëve të Njësisë Speciale, që në bashkëpunim me SPAK-un do të dilnin në terren për të zbatuar ligjin e ri “Anti – KÇK”.


Me një tjetër video live, Rama na serviri edhe ditën e hënë, kur nisi operacioni “me veprime konkrete në terren”, kur efektivët e policisë shkuan në Shijak për të sekuestruar pasuritë e fisit Hajri. E njëjta zëdhënëse doli duke lexuar, po me syze dielli.

Nuk e dimë nëse ka mbetur gjë pa filmuar nga ky operacion, e mesa duket këto shfaqje ekzibicioniste do të na shoqërojnë gjithë muajin sëbashku me refrenin e përsëritur nga kryeministri “Anti KÇK”. 

Kjo nuk do ishte hera e parë, që qeveria e në veçanti kryeministri Edi Rama, bëjnë të tilla publikime në video, të panevojshme në rrjet.

Ju kujtohen show-t me sëpatë në dorë të Ramës? Po dajret? Po fasadat e pallateve? Po ato videot live nga nderimet e fundit për viktimat e tërmetit me diçiturën “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”?!

Për ekzibicionizëm Shqipëria e ka një politikan të shquar. Edi Ramën, dora vetë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *