Vendosni fjalën kyçe....

David Sassoli: Shqipëria sot do ishte në BE po të mos ishte për këto probleme


Në një intervistë për median gjermane Deutsche Welle, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli tha se Shqipëria sot do të ishte në BE nëse nuk do të ishte për shkak të nivelit të lartë të varfërisë dhe të korrupsionit.

“Duke lënë mënjanë politikën, qytetarët në përditshmërinë e tyre përballen me varfërinë, korrupsionin, me një sistem drejtësie që nuk funksionon si përshembull Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, ku numri i dosjeve që janë në pritje të shqyrtimit kanë arritur kulmin. Me të gjithë këto probleme, a është Shqipëria gati të hyjë në BE?”– kjo ishte pyetja që gazetari i drejtoi Sassoli-t.

Ky i fundit iu përgjigj se po të mos ishin këto probleme, Shqipëria sot do të ishte në BE. Ai shtoi se BE do që ta ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet për t’u anëtarësuar, por sipas tij vendi është në fillim të këtij procesi.

“Po të mos ishin këto probleme, Shqipëria tashmë do të ishte në Bashkimin Europian. Ne e dimë që procesi i anëtarësimit duhet ta ndihmojë Shqipërinë që të arrijë standardet e nevojshme për t’u futur në Bashkimin Europian. Procesi i anëtarësimit shërben për këtë, në mënyrë që të arrihet që një vend mund të verë bast mbi të ardhmen e tij që të anëtarësohet në Bashkimin Europian duke arritur objektivat. Ky është procesi i anëtarësimit dhe, natyrisht, me të gjithë mbështetjen, me programet, me nismat, por edhe me burimet që Bashkimi Europian mund të bëjë të mundur për këtë lloj përshtatjeje.

Është kjo ajo që ne urojmë. Shohim përpjekje, shohim një vullnet, kemi parë disa suksese, kemi parë disa reforma, dhe e gjithë kjo, sigurisht, na bën të mendojmë se Shqipëria është në kushtet për të filluar, por nuk është fundi i procesit, jemi në fillim të procesit. A janë arritur objektiva me anën e reformave të rëndësishme? Ne mendojmë se po. Reforma në drejtësi është një bazë. Natyrisht që kemi nevojë edhe për gjëra të tjera, kemi nevojë për një kornizë të shtetit të së drejtës, jemi të bindur për këtë. Ja përse i kuptojmë përpjekjet dhe duam të ndihmojmë në mënyrë që këto përpjekje, në një proces anëtarësimi, t’i bëjnë të mundur Shqipërisë që të hyjë me të drejta të plota mes vendeve të Bashkimit Europian.”- tha Sassoli.

Presidenti i PE-së i bë thirrje qeverisë shqiptare që të bëjë të mundur që të gjitha planet, të gjitha projektet, të gjitha nismat, të kenë si pikë referimi axhendën europiane.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *