Autoritetet kineze kanë publikuar imazhe satelitore që tregojnë se si u ngrit spitali i parë për të trajtuar koronavirusin në qytetin e Wuhan, që u ndërtua nga e para me një shpejtësi të paparë.
Spitali Huoshenshan ka pritur dje grupin e parë të pacientëve pas vetëm 10 ditëve të ndërtimit, siç shkruan Daily Mail.
Kjo është qendra e parë mjekësore e ndërtuar nga e fillimi, për të trajtuar të sëmurët me koronavirus. Spitali i Huanggang, që u hap të martën e kaluar ishte thjesht i konvertuar nga një ndërtesë ekzistuese. Por ky tjetri është ndërtuar nga e para.
Qyteti me 14 milion banorë, ka qenë i mbyllur për gati dy javë, e tani po përgatitet të hapë institucionin e dytë të urgjencës të enjten.
Numri i të vdekurve nga epidemia vazhdon të rritet në Kinë, pasi Komisioni Kombëtar i Shëndetit në vend raportoi 64 vdekje të tjera brenda natës, dhe Hong Kong shënoi dje viktimën e tij të parë.
Në total, virusi ka vrarë të paktën 427 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 20,700 të tjerë në të gjithë botën.