Një automjet i maskuar si autoambulancë, shërbente për transportimin e shtetasve të huaj që kërkonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Policia në Korçë ka arrestuar një djalë të ri ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi ndaluan automjetin në fshatin Petrushë, në Pogradec.
Personi i vënë në pranga është R. Ll., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ai rezulton të jetë i dënuar më parë për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky person bashkë me një tjetër akuzohen se i vunë logon e ambulancës automjetit të tyre top “Volkswagen”, për t’i shpëtuar kontrollit të policisë me qëllim transportimin e emigrantëve të paligjshëm.
Kur policia ka kuptuar hilen dhe i ka kërkuar automjetit të ndalojë, i riu i ka dhënë më shumë gaz duke bërë dhe manovra të rrezikshme.
DETAJET E POLICISË
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll dhe Sektorin e Policisë Rrugore, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ambulanca”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- R. Ll., 31 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”).
Si edhe u shpall në kërkim shtetasi:
• D. O., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se disa shtetas do të organizonin transportimin nga rrethi i Devollit në drejtim të Tiranës, të disa të huajve të cilët kishin hyrë në mënyrë ilegale në territorin shqiptar, strukturat e policisë të qarkut Korçë kanë organizuar shërbimet përgjatë aksit rrugor Devoll-Pogradec, me qëllim kapjen e tyre.
Shërbimet e Policisë, janë vënë në ndjekje të një mjeti tip “Volkswagen” (në pronësi të shtetasit D. O., të cilin e kishin loguar si ambulancë, me qëllim shmangien e kontrollit të policisë) me drejtues shtetasin R. Ll., brenda të cilit kishte dyshime se ndodheshin shtetasit e huaj.
Në afërsi të fshatit Vreshtas, Policia i ka bërë me shenjë shtetasit R. Ll., që të ndalonte por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, pasagjerëve të tij si edhe përdoruesve të tjerë të rrugës, ku më pas u neutralizua dhe ndalua në fshatin Petrushë, Pogradec.
Dy shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim mes tyre dyshohet se iu kishin premtuar shtetasve të huaj, kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.