Ish-deputeti demokrat Fatbardh Kadilli, ka publikuar një video në të cilën një studente e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, në thotë se një nga konviktet është i mbuluar nga një material asbesti, që shkakton kancer.
Ndërsa kujton vizitën e tij të para pak ditëve për të inauguruar konviktin, studentja e pyet kryeministrin Edi Rama nëse jeta e tyre ka vlerë.
“Jemi studentë të universitetit ‘Ismail Qemali’ Vlorë, ndodhemi në qendrën studentore të qytetit të Vlorës. Këtu para disa ditësh kryeministri inauguroi fasadën e këtij objekti, i cili është konvikti i gocave, ndërkohë që në krahun tjetër ndodhet konvikti i çunave. Është i mbuluar nga një shtresë asbesti ku jetojnë dhjetëra studentë, të cilëve iu rrezikohet jeta dhe shëndeti, nga një material i rrezikshëm siç është asbesti, i cili është vërtetuar se shkakton kancer. Shtrohet pyetja zoti kryeministër: A ka vlerë jeta jonë apo është më e rëndësishme propaganda e fasadave?”, shprehet studentja.
Ish-deputeti Kadilli kujton se ky denoncim vjen në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër sëmundjes së kancerit.
“Studentja vlonjate denoncon rrezikun që kanos studentët. Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër sëmundjes së kancerit, vjen ky denoncim nga Vlora. Rama inauguron lyerjen e fasadave, por nuk largon materialin kancerogjen nga çatia e konviktit”, shkruan Kadilli.