Vendosni fjalën kyçe....

Hoqi foton e Thaçit nga zyra, PDK bojkoton seancën e Vjosa Osmanit


Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të bojkotojë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi kryetarja e re Vjosa Osmani, ka zhvendosur fotografinë e presidentit nga zyra e saj në Kuvend.

Mediat në Kosovë shkruajnë se këtë e ka njoftuar shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Deputeti i PDK-së kujtoi se kur ka qenë kryetar i Kuvendit Kadri Veseli, e ka trajtuar me kujdes fotografinë e ish-presidentit Rugova.

“Unë e kuptoj se njerëzit kanë nevojë të inspirohen, por për gjëra të tilla janë ambientet dhe hapësirat private. Në institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj. Fotografia e presidentit Rugova është në hapësirat e Kuvendit dhe gjatë udhëheqjes së Kuvendit nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është trajtuar me kujdes. Në situatën në të cilën ndodhemi tani, proceset të cilat janë përpara, vlerësojmë se duhet të ketë kohezion të brendshëm. Ne besojmë që opozita e ka vendin në Kuvend. Është mirë për vendin por është mirë edhe për pushtetin. Ndërsa veprimet e zonjës Osmani, opozitës ia pamundësojnë këtë dhe e largojnë nga institucioni. Pra, si rezultat i këtij veprimi të kundërligjshëm, ne si partia më e madhe opozitare, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Hamza.

Ai i ka bërë thirrje Vjosa Osmanit që të rivendosë foton e presidentit Hashim Thaçi në zyrën e saj, duke e konsideruar të kundërtën veprim jo ligjor: “Kërkojmë që fotografia zyrtare e Presidentit të vendit z. Hashim Thaçi, të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe zonja Osmani të ndalojë veprimet që nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat e pamundësojnë opozitën të jetë në Institucione dhe të kontribuojë në rolin e saj që e ka të drejtë dhe obligim”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *