Duke nisur nga data 7 deri më 14 shkurt shënohet “Java e Martesës” si një lëvizje ndërkombëtare e cila organizohet për të 9-tin vit radhazi edhe në Shqipëri.
Në këtë organizim marrin pjesë rreth 2 milionë njerëz çdo vit, në rreth 30 vende në katër kontinente.
Aktivitet e “Javës së Martesës” kanë si qëllimin të inkurajojë çdo çift që t’i japin prioritet njëri-tjetrit, pavarësisht nëse janë të sapomartuar apo gjyshër, që të investojnë kohë dhe energji për forcimin e martesës.
Statistikat tregojnë që këto 25 vitet e fundit martesat në Shqipëri kanë qenë nën kërcënim me një rritje afro dyfish të shkallës së divorcit.
Ky aktivitet në Shqipëri përpiqet t’u vijë në ndihmë çifteve:
- Përmes informacioneve dhe këshillave në faqen në Facebook –Java e Martesës, e cila ka me mijëra ndjekës.
- Revistës “Java e Martesës” (porositet tek martesadhefamilja@gmail.com), e cila arrin dhjetëra mijëra çifte në Shqipëri dhe Kosovë çdo vit.
- Prodhimit dhe promovimit të librave, resurseve dhe kurseve trajnuese, të cilat i ndihmojnë çiftet të rriten në dashuri dhe në njohje.
- Përfshirjes së dhjetëra organizatave dhe kishave që organizojnë mbrëmje romantike dhe seminare martese dhe aktivitete për çifte çdo vit.
- Nëpërmjet medias – duke rritur ndërgjegjësimin e çifteve të kudondodhura që: “Po, mund të keni vërtetë një martesë shumë të mirë!”.