Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka pezulluar nga detyra 4 punonjës policie të Komisariatit të Rinasit.
Ata akuzohen se kanë ndihmuar një person që të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, punonjësit e policisë kanë ndihmuar një shtetase shqiptare me pasaportë të falsifikuar që të kalojë kufirin.
‘Pas një hetimi pro-aktiv të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, në kuadër të një procedimi penal për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, me vendim të Gjykatës janë caktuar masat e
pezullimit të ushtrimit të detyrës për punonjësit e Policisë:
L.S., me detyrë në DPPSH;
M.B., me detyrë në DPPSH;
A.M., në Komisariatin e Policisë Rinas;
A.D., në Komisariatin e Policisë Rinas.
U vendos masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen K.B.
Këta punonjës në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke dashur të mundësojnë kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në Aeroportin e Rinasit, të një shtetaseje shqiptare me pasaportë të falsifikuar. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë, Tiranë. SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë çdo shkelje të punonjësve të Policisë në numrin falas 0800 90 90.’