Vendosni fjalën kyçe....

Fondi “Besa”/ Heshtja që fsheh rolin e Auditit Qendror në skandalin 3 milionë euro


Fondi “Besa” nuk preferoi të përgjigjet nëse janë marrë masa për sigurimin e parave të klientëve të saj, pas skandalit të disa muajve më parë, kur punonjës të këtij institucioni jo-bankar u përfshinë në një skemë piramidale, me vlerë mbi 3 milionë euro.

Mihal Hanxhari, një ish-punonjës i Fondit “Besa”, i arrestuar në Gusht 2019, paraqiti para prokurorëve disa të dhëna, sipas të cilave në “skemën mashtruese” ishin pjesë edhe figura drejtuese të këtij institucioni.

Sipas Hanxharit, “manovrat” me kreditë në filialet “Tirana 1” dhe “Tirana 4” janë toleruar nga strukturat audituese të selisë qendrore të “Fondit Besa”.

“…Në momentin që kam dorëzuar portofolin e kredive, kam pasur 150 ose 160 klientë. Nga këta, 40 apo 50 kanë qenë ata që kanë pasur kredi. Ndërsa pjesa tjetër, janë nga ata klientë (fiktivë) që më ka sjellë Drejtoresha (Albana Imami). Madje, edhe kur vinte kontroll nga Auditi, kontrollonin vetëm pjesën që kisha dhënë kredi. Pjesën tjetër ata nuk e kontrollonin dhe pas i pyesja për këta të tjerët, ata më thoshin që të mos merresha me ata, pasi për ata përgjigjet Drejtoresha…”, deklaroi Mihal Hanxhari para hetuesve.

“Boldnews.al”, nëpërmjet një kërkese për informacion, pyeti Fondin “Besa” nëse kishin kryer kallëzim penal për zyrtarët/punonjës të Auditit të Brendshëm, të ngarkuar për të kryer veprimtarinë e filialeve “Tirana 1” dhe “Tirana 4”, të drejtuar nga e arrestuara Albana Imami, e konsideruar nga Prokuroria si një prej personave përgjegjës për skemën e dyshuar mashtruese.

Fondi “Besa”, nuk dha asnjë përgjigje. Në bazë vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, të siguruar nga redaksia e “Boldnews.al”, hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka nisur nga një kallëzim i vetë Fondit për disa shtetas, të punësuar në dy filialet e kryeqytetit.

Ndërkohë, nuk ka asnjë hetim, të paktën zyrtarisht, për auditët e Fondit “Besa”, të cilat janë pjesë e zyrave qendrore të këtij institucioni financiar.

Gjithashtu, Fondi “Besa” nuk preferoi të japë përgjigje nëse institucioni kishte shlyer apo jo huatë, në vlerë mbi 1.7 milionë euro, të cilat, ish-drejtoresha e filialit, Albana Imami dhe disa punonjës të tjerë, i kishin marrë personave të ndryshëm, me premtimin për t’ua kthyer me interesa shumë të larta.

Si funksiononte skema

Sipas të dhënave hetimore, skema mashtruese ka funksionuar në këtë mënyrë:

Oficerët e kredisë në filialin “Tirana 1” dhe “Tirana 4” të Fondit “Besa”, në Tiranë, siguronin klientë “fiktivë”. Këta ishin persona që kishin nevojë për kredi në vlera të vogla, por që pranonin që, në dokumentat e tyre, vlera e hua së marrë nga fondacioni, të ishte më e madhe.

Për lehtësi shpjegimi, nëse një person kishte nevojë për 100 mijë lekë të reja, punonjëset e fondit shënonin sikur ai kishte marrë 1 milion lekë. Klienti do të paguante këstet vetëm për aq sa kishte nevojë dhe kishte tërhequr realisht, pra për 100 mijë. Ndërkohë që pjesa tjetër, pra këstet për shumën “1 milionë” paguheshin nga punonjëset e fondit, nga paratë e vetë fondit.

Hetimi është ende në zhvillim dhe akoma nuk është sqaruar se ku kanë përfunduar paratë e diferencës ndërmjet shumave që i janë dhënë klientëve “fiktivë” dhe shumave të shënuara në dokumentat e fondit.

Për prokurorët, këto para dyshohet se kanë përfunduar në xhepat e personave të përfshirë në skemë. Ndërsa për punonjëset e arrestuara, ato para janë qarkulluar për të mbuluar deficitet e krijuara në arkën e fondit.

Duke pak e besueshme versioni i personave të arrestuar. Megjithatë, ajo që konsiderohet si personi kryesor, deri më tani, në këtë skemë, Albana Imami, ka thënë para prokurorëve se këto veprime janë ndërmarrë për të rritur në mënyrë fiktive numrin e klientëve, e cila sillte më pas rritjen e performancës së filialeve të drejtuara prej saj, që konkludohej me bonuse dhe paga shtesë për punë të mirë.

Fondi “Besa”, hermetik

Pas këtij skandali financiar, Fondi “Besa” ka zgjedhur të qëndrojë hermetik, duke refuzuar të përgjigjet për çështje, të cilat lidhen me sigurinë e klientëve dhe, mbi të gjitha, me mënyrën se si e përdor licensimin publik për ushtrimin e aktivitetit financiar.

Fondi “Besa” nuk ka një përgjigje publike mbi pyetjen nëse janë marrë masa të brendshme administrative apo disiplinore për zyrtarët përgjegjës të Auditit të Brendshëm, të cilët, sipas deklarimeve të të hetuarit Mihal Hanxhari, kanë anashkaluar verifikimin dhe kontrollin e kreditorëve “fiktivë”.

Gjithashtu, Fondi “Besa” nuk preferoi të japë asnjë qëndrim zyrtar për masat që mund të jenë marrë, për shmangien e krijimit të skemave mashtruese në të ardhmen.

VINI RE: Ky shkrim është intelektuale e Boldnews


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *