Alketa Vejsiu mbrëmjen e djeshme në skenën e Sanremos në Itali, ku prezantoi përkrah Amadeos duke falënderuar Italinë, bëri një deklaratë të pavërtetë lidhur me prezantueset e festivalit të RTSH-së në Shqipëri.
Sipas Vejsiut festivali i RTSH-së është prezantuar vetëm nga burra dhe ajo ishte femra e vetme që e prezantoi atë vitin që kaloi.
“Ne jemi 12 vite pas jush, në mos gaboj, pasi krijuat Sanremon, rreth 12 vite më pas u organizua Festivali i Këngës. Në dhjetor përfundoi njëri prej edicioneve që rezultoi një sukses. Për vite me radhë burra, burra, burra e burra pafund. Por më pas, në mënyrë të pabesueshme ja besuan një gruaje. Kjo grua jam unë”– deklaroi Alketa.
Po sa e vërtetë është deklarata e Alketës në gjuhën italiane në skenën e Sanremos?
Nuk dihet se cilat qenë arsyet e kësaj deklarate të Vejsiut, ndoshta nuk e ka parë më herët festivalin e RTSH-së, i cili për 57 vite e ka pasur një prezantuese femër. Vejsiu jo vetëm bëri një deklaratë të pavërtetë në gjuhën italiane, por kur flet në Sanremo si një prezantuese nga Shqipëria dhe në emër të shqiptarëve, ke përgjegjësi publike jo vetëm të thuash të vërtetën por edhe të kujdesesh që arritjet e shqiptarëve të tu në art të mos i zerosh.
Duke filluar që nga festivali i parë i cili u prezantua nga Margarita Xhepa dhe më pas me radhë deri në festivalin e 57-të një vit para se të prezantonte vetë Vejsiu, ka pasur një drejtuese femër. Madje edhe emra të mëdhenj të artit apo edhe këngëtare të njohura.
Në regjistrin e tij, festivalin e RTSH-së e kanë prezantuar emra si Vera Zheji, Drita Bardhi Haxhiraj, Elisabeta Vasili, Adriana Fishta, Edi Luarasi, Flutura Çangu, Arta Dade, Rezarta Malaj, Rezana Çeliku, Zerina Barbullushi, Mimoza Tafaj, Silvana Braçe, Anisa Markariam, Dhurata Kasmi, Matilda Makoçi, Elvira Diamanti, Yllka Mujo, Ema Ndoja, Ina Gjika, Luiza Xhuvani, Kristi Rrapo, Ema Andrea, Rudina Magjistari, Fjoralba Shehu, Juela Meçani, Doris Petrela, Valbona Çobo, , Vilma Papajani, Hygerta Sako, Monika Zguro, Inis Gjoni, Klodiana Maliqi, Ornela Bregu, Ledina Çelo, Hueyda El Saied, Soni Malaj, Elsa Lila, Miriam Cani, Jonida Maliqi, Mirela Naska, Enkeleida Zeko, Floriana Garo, Klea Huta, Xhesika Berberi, Marinela Meta, Liberta Spahiu, Blerta Tafani, Jonida Shehu dhe Ana Golja./Hashtag.al