Arsenali raportohet se e ka kontaktuar ish-trajnerin legjendar, Arsene Wengerin, për ta diskutuar mundësinë e kthimit të tij në pozitën e trajnerit në Emirates, të cilët e la në vitin 2018, pas një epoke 22-vjeçare aty.
Përkundër tre titujve të Premierligës që e bënë atë trajnerin më të suksesshëm në histori të Arsenalit, 70-vjeçari Arsene Wenger ishte përballur me kritika të ashpra nga shumë tifozë gjatë sezoneve të tij të fundit në Emirates.
Wengeri raportohet se është ende i lënduar nga largimi i tij, pasi që beson se tifozët nuk e kishin trajtuar ashtu siç e meritonte në fundin e karrierës së tij atje.
Megjithatë, Daily Mirror pretendon se drejtuesit e Arsenalit ia kanë bërë të qartë francezit si ai do të ishte mirëpritur nëse do të kthehej sërish te klubi londinez.
Pas largimit të tij nga Arsenali, Wengeri kishte thënë se do të mbetej përgjithmonë tifoz i Arsenalit, megjithatë ai ka folur edhe për hezitimin që do ta kishte nëse do t’i ofrohej kthimi atje.
Pengesë në qëllimin e Arsenalit për ta kthyer Wengerin është edhe fakti se francezi është i punësuar në organin qeverisës të futbollit botëror, FIFA.