Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë ka kërkuar publikisht koordinim me Kreun e Shtetit në fushën e politikës së jashtme. Ka thënë se koordinimin me Hashim Thaçin po e kërkon për të mos pasur kakofoni në diplomaci.
“Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”- tha Kurti, raporton Gazeta Express.
Këto komente Kurti i ka bërë pasi ka bërë homazhe te arkivoli i Nexhmije Pagarushës në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Aty, Kryeministri është pyetur se cili është komenti i tij lidhur me deklaratat e Hashim Thaçit për t’u rizgjedhur përsëri Shef i Shtetit.
Kurti ka thënë se puna e tij është që të ndihmojë koordinimin e politikës së jashtme e jo të merret se kush dëshiron të bëhet President i vendit në të ardhmen.
Një natë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në emisionin “A Show” në T7, ka thënë se pasi t’i skadojë mandati, ai do të rikandidoj përsëri për president të vendit.
Në pyetjen e Adi Krastës, se çfarë do të ndodhë me Hashim Thaçin pasi t’i skadojë mandati, presidenti tha se do të kandidojë përsëri për të njëjtën pozitë.
“Do të respektoj kushtetutën dhe ligjet e vendit. Do t’iu shërbej qytetarëve pa dallim. E se ku do jem pas mandatit presidencial, mendoj se është herët të flitet, por janë dy mundësi, e para të bëhen ndryshimet kushtetuese që presidenti të zgjedhjet nga qytetarët, pra do të rikandidoj dhe do të zgjedhem përsëri, kësaj radhe me votën e popullit, jam i bindur për këtë”-është shprehur Thaçi.
Tutje, Thaçi tha se nëse partitë e donë atë president, le ta ndryshojnë kushtetutën pasi ky i fundit është i bindur që do të rizgjedhet
“Pra, partitë le të vlerësojnë vet, nëse e duan president Thaçin le ta ndryshojnë kushtetutën, nëse nuk e duan mos ta ndryshojnë, unë do të kandidoja përsëri”-shtoi Thaçi.