Presidenti i vendit Ilir Meta, është pritur në një takim gjatë vizitës së tij në Uashington, nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë, në prag të misionit të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Meta i njohu ata me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe në rajon, duke theksuar se vizita e tyre në vendin tonë do të jetë një kontribut i shtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.
Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të SHBA në Ballkanin Perëndimor, si faktor kyç për paqen, sigurinë dhe demokracinë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi dhe rolin që luan Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë për forcimin e lidhjes transatlantike.