Vendosni fjalën kyçe....

SMBB: A e falsifikoi Albchrome dhe sindikata e vjetër kontratën kolektive të minatorëve?


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka ngritur një pyetje lidhur me kontratën kolektive mes minatorëve, sindikatave dhe kompanisë minerare në Bulqizë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale SMBB thotë se nga kërkesat nga ana e tyre për një kontratë të re me minatorët kompania minerare Albchrome dhe sindikatat e vjetra pretenduan në dhjetor se kishin një kontratë që skadonte në 31 janar.

Më tej SMBB sqaron se ajo “arriti shumicën e anëtarësisë në kompani dhe i kërkoi zyrtarisht kompanisë në datën 26 dhjetor 2019 negocimin e Kontratës së re, kompania refuzoi ta pranonte shkresën, me justifikimin se drejtori ishte me pushime. Kur SMBB e rinisi kërkesën për të drejtën e kontraktimit kolektiv si sindikata më përfaqësuese, Albchrome u përgjigj në mes të janarit 2020 se Kontrata Kolektive qenkësh ndryshuar në datën 1 tetor 2019, me një afat të pacaktuar. Qartazi, sindikata e vjetër nuk e ka ditur që kontrata kishte ndryshuar, përderisa deklaroi më 30 nëntor se afati i kontratës ishte deri në 31 janar 2020 (foto me poshtë)”.

Ky falsifikim është paraprirë nga një tjetër shkelje e Kodit të Punës, ajo e mosvënies në dispozicion të një kopjeje të Kontratës Kolektive as punëtorëve, as sindikatës përfaqësuese të tyre, SMBB-së. Ne kemi dërguar disa kërkesa nëpër institucione shtetërore (Ministria e Financave, Zyra e Punës Bulqizë, Zyra e Punës Dibër, Inpektorati Shtetëror i Punës) duke kërkuar të pajisemi me një kopje të Kontratës Kolektive, duke qenë se kjo e fundit, në shkelje të ligjit, nuk vihej në dispozicion nga Albchrome dhe sindikata vartëse e saj.

Vetëm 3 ditë më parë, pas presionit të sindikatave ndërkombëtare, kontrata kolektive është afishuar në ambientet e kompanisë, siç duhet të ishte e afishuar gjithmonë sipas ligjit. E prapëseprapë ky afishim është në shkelje të ligjit, pasi është bërë pasi ka përfunduar afati i kontratës dhe, më e rënda, i është bashkëngjitur edhe një shtesë e falsifikuar. Faktet e falsifikimit të kontratës nga Albchrome dhe sindikatat e vjetra, hedhin dyshime edhe mbi Kontratën Kolektive, e cila u bë publike vetëm pas kërkesës së sindikatave ndërkombëtare”-thuhet më tej në deklaratën e SMBB-së.

Postimi i plotë:

A E KANË FALSIFIKUAR ALBCHROME DHE SINDIKATA E VJETËR (FSPISH-KSSH) KONTRATËN KOLEKTIVE?!

Që në fund të muajit nëntor 2019, kur nisi greva e minatorëve, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi si një ndër kërkesat kryesore negocimin e Kontratës së re Kolektive. Asokohe kompania Albchrome dhe sindikata e vjetër nuk kishin ndonjë reagim në lidhje me këtë kërkesë, sepse i kishin përqëndruar të giitha forcat te thyerja e grevës përmes presioneve dhe largimeve të paligjshme nga puna të 4 drejtuesve të SMBB-së. Ata nuk e besuan për asnjë moment që minatorët e Albchrome do t’i bashkoheshin masivisht sindikatës së re demokratike, SMBB-së, dhe vazhduan me propagandë për arritjet e sindikatës së vjetër. Në një deklaratë të datës 30 nëntor 2019, edhe FSPISH (Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë) edhe KSSH (Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë) përdorën Kontratën Kolektive ekzistuese për t’i bindur punëtorët për “arritjet” e sindikatës së vjetër. Në atë deklaratë ata shpreheshin që kjo Kontratë Kolektive në fuqi skadonte në datën 31 janar 2020.

Kur SMBB arriti shumicën e anëtarësisë në kompani dhe i kërkoi zyrtarisht kompanisë në datën 26 dhjetor 2019 negocimin e Kontratës së re, kompania refuzoi ta pranonte shkresën, me justifikimin se drejtori ishte me pushime. Kur SMBB e rinisi kërkesën për të drejtën e kontraktimit kolektiv si sindikata më përfaqësuese, Albchrome u përgjigj në mes të janarit 2020 se Kontrata Kolektive qenkësh ndryshuar në datën 1 tetor 2019, me një afat të pacaktuar. Qartazi, sindikata e vjetër nuk e ka ditur që kontrata kishte ndryshuar, përderisa deklaroi më 30 nëntor se afati i kontratës ishte deri në 31 janar 2020 (foto me poshtë).

Kjo përpjekje e qartë për falsifikim nuk do ishte shqetësuese sikur të mos mbështetej edhe nga institucionet shtetërore, konkretisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Këta institucione që duhet të ishin garantues të zbatimit të Kodit të Punës, janë bërë palë me shkelësit e tij.

Kjo situatë qelbet erë falsifikimi. Albchrome, nga njëra anë, dhe sindikata e Taf Kolecit e Kol Nikollës, nga ana tjetër, prej muajsh janë përpjekur të hedhin baltë dhe të gjejnë mënyra të ndryshme për të shmangur SMBB-në, sindikatën më të madhe në kompani. Për më shumë se dy muaj, asnjëherë nuk është përmendur ndryshimi i afatit të Kontratës Kolektive. Këtë “ndryshim” nuk e kanë ditur jo vetëm punëtorët, po madje as sindikata e vjetër, e cila supozohet se e ka nënshkruar. Ky skenar është vënë në jetë pasi SMBB ka tejkaluar shumicën e anëtarësisë dhe i takon negocimi i Kontratës së re Kolektive.

Ky falsifikim është paraprirë nga një tjetër shkelje e Kodit të Punës, ajo e mosvënies në dispozicion të një kopjeje të Kontratës Kolektive as punëtorëve, as sindikatës përfaqësuese të tyre, SMBB-së. Ne kemi dërguar disa kërkesa nëpër institucione shtetërore (Ministria e Financave, Zyra e Punës Bulqizë, Zyra e Punës Dibër, Inpektorati Shtetëror i Punës) duke kërkuar të pajisemi me një kopje të Kontratës Kolektive, duke qenë se kjo e fundit, në shkelje të ligjit, nuk vihej në dispozicion nga Albchrome dhe sindikata vartëse e saj. Vetëm 3 ditë më parë, pas presionit të sindikatave ndërkombëtare, kontrata kolektive është afishuar në ambientet e kompanisë, siç duhet të ishte e afishuar gjithmonë sipas ligjit. E prapëseprapë ky afishim është në shkelje të ligjit, pasi është bërë pasi ka përfunduar afati i kontratës dhe, më e rënda, i është bashkëngjitur edhe një shtesë e falsifikuar. Faktet e falsifikimit të kontratës nga Albchrome dhe sindikatat e vjetra, hedhin dyshime edhe mbi Kontratën Kolektive, e cila u bë publike vetëm pas kërkesës së sindikatave ndërkombëtare.

Të gjitha të dhënat e mësipërme, datat e deklaratat që bien ndesh me njëra-tjetrën, përbëjnë argument të mjaftueshëm për një prokurori dhe inspektorat pune serioz që të nisin hetimet për falsifikim.

Me këto metoda, kompania Albchrome dhe ortakët e saj, Taf Koleci e Kol Nikollaj, po përpiqen të fitojnë kohë me shpresën që do arrijnë ta smbrapsin SMBB-në. Por kjo nuk ka për të ndodhur. Ne jemi duke përgatitur dokumentacionin për të paditur në gjykatë gjithë falsifikatorët e përfshirë në këtë ngjarje dhe për të provuar edhe ligjërisht pavlefshmërinë e kontratës kolektive të falsifikuar. I gjithë ky dokumentacion do t’iu vihet në dispozicion edhe sindikatave ndërkombëtare me të cilat SMBB është në komunikim të vazhdueshëm.

Shtypësit dhe tradhtarët e minatorëve, tashmë edhe falsifikatorë, duhet të marrin ndëshkimin që iu takon!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *