Një protestues palestinez u qëllua për vdekje të premten në Bregun Perëndimor. Liderët palestinezë dhe amerikanë e fajësuan njëri-tjetrin për dhunën që shpërtheu pas prezantimit të planit të paqes nga presidenti Donald Trump.
Protestuesit palestinezë dhe forcat izraelite të sigurisë janë përleshur vazhdimisht prej kohës kur u prezantua plani i paqes nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, bashkë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Rasti i së premtes e çoi në katër numrin e palestinezëve të vrarë. Në anën tjetër, më shumë se 10 izraelitë janë lënduar gjatë sulmit ndaj veturave prej prezantimit të planit të Trump-it, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Të premten, disa persona u mblodhën në Bregun Perëndimor për të marrë pjesë në funeralin e policit palestinez që u vra gjatë përleshjeve të një dite më parë. Autoritetet palestineze thanë se ai u vra nga të shtënat izraelite.
Ushtria izraelite tha se dhjetëra protestues palestinezë i kanë sulmuar trupat me gurë dhe bomba zjarri dhe se është kundërpërgjigjur me zjarr për ta larguar kërcënimin.
Ndryshe, presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, ka thënë se kurrë nuk do ta pranojë planin e homologut amerikan për paqen në Lindje të Mesme.