Pas alarmit se një shtetase britanike në Kosovë, dyshohej se ishte e prekur nga koronavirusi që ka marrë mbi 800 jetë në Kinë, IKSHP ka dhënë sqarime mbi situatën.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), thotë se shtetasja britanike rezultoi negative pas dyshimeve për coronavirus.
“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë pacientja nuk është e infektuar me novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe me influenza A dhe B”, thuhet në njoftim.
Të shtunën rreth orës 17.00, IKSHP ka marrë informacione nga Klinika Infektive e QKUK se një paciente me nënshtetësi britanike është referuar nga Qendra Emergjente e Gjilanit për në Klinikën Infektive.
Pacientja është staf ndërkombëtar në Kosovë dhe e njëjta ka qëndruar në një qendër skijimi në Mont Blanc, Francë, para disa ditësh. Pacientja është vizituar nge ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe në aspektin klinik ka pasur ethe të lehta dhe kollitje të lehtë.
Sipas Institutit të Shëndetësisë, menjëherë është marrë mostra për analizë laboratorike dhe është sjellë për diagnostikë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në orën 19.00. Fatmirësisht gruaja britanike ka rezultuar negative nga të gjitha testet për koronavirus.
Në 24 orët e fundit, autoritetet kineze kanë konfirmuar se numri i viktimave është rritur në 813, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në 34.598.