E mbani mend kryeministrin Edi Rama i cili deri para pak kohësh kishte një rubrikë në “Facebook”, ku komunikonte me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, të cilët i dërgonin pyetje dhe ai përgjigjej?
Njëlloj si Rama pak vite më parë, kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë të njëjtën gjë të enjten duke kopjuar kryeministrin.
E nëse Rama pak vite më parë e kishte quajtur rubrikën e tij “Pyet Kryeministrin”, kreu i opozitës e ka kthyer në “Fol po të dëgjoj”. Emërtimi mesa duket është ndryshimi i vetëm mes dy rubrikave. Pasi paraqitja është e njëjta, Basha shfaqet i ulur në zyrën e tij para kompjuterit duke lexuar komentet, njëlloj siç bënte Rama.
E njëlloj siç funksiononte me Ramën, edhe Basha i paralajmëroi qytetarët disa orë para se do të kishte një komunikim live me ta e i ftoi që t’i drejtojnë pyetje.
Duket se tentativat e kryedemokratit për të forcuar PR-in dhe përmirësuar imazhin e tij, po shkojnë drejt një kopjimi të teknikave të kundërshtatit të tij të para disa viteve.
Brenda një jave kemi parë shumë nga këto postimet e Bashës në Facebook, që të kujtojnë kryeministrin. Kujtojmë se pak ditë më parë, Basha publikoi një video me titullin ‘Më shih në sy’. Ajo u pasua nga një fotografi e tij me gjyshe Verën, duke ecur rrugëve të Tiranë me një qese me perime në duar që u mendua se ishin domate.
Më pas publikoi videon me titullin ‘Ecje, Po të dëgjoj’, ku kreu i PD-së shfaqet duke ecur rrugëve të Tiranës duke u takuar me qytetarë të ndryshëm. Më vonë publikoi video nga takimi me gjyshe Verën, ku domatet dolën se ishin shegë që i kishte blerë kryedemokrati.
Tani ka mbetur vetëm që Basha të krijojë një logo të tijën “LBTV”, sikur Rama.