Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Antonio Diodato, këngëtari që do përfaqësojë Italinë në “Eurovision”


Fituesi i edicionit të 70-të të festivalit të Sanremos, u shpall Diodato. Me këngën e tij “Fai Rumore”, Diodato mundi Francesco Gabbani-n dhe Penguins Tactical Nuclear.

Por kush është Diodato?

Siç shkruan IlPost.it, emri i tij i plotë është Antonio Diodato dhe ai lindi në Aosta. Por familja e tij u zhvendos në Taranto ku u rrit, dhe më pas studioi muzikë dhe filloi të luante në Romë. Ai ka jetuar për një kohë edhe në Suedi, ku ka filluar edhe karrierën e tij muzikore. Diodato filloi të regjistrojë këngë dhe u dallua mes të tjerësh në gjysmën e dytë të viteve 2000, kur publikoi EP-në e tij të parë në 2007-ën. Albumi i tij i parë i titulluar “E forse sono pazzo” u publikua në vitin 2013-ën. Në një publikim të dytë, në album u përfshi dhe kënga “Babilonia”, kënga me të cilën u prezantua në kategorinë e të rinjve në Sanremo në 2014-ën.

Që atëherë ai ka publikuar edhe dy rekorde të tjera: “A ritrovar bellezza” (2014) dhe “Cosa siamo diventati” (2017), ndërsa e katërta “Che vita meravigliosa” pritet të dalë javën e ardhshme.

Diodato dhe festivalet

Diodato bën muzikë pop të frymëzuar nga artistë si Fabrizio De Andrè dhe Luigi Tenco, por ka edhe pak ndikime ndërkombëtare dhe më bashkëkohore, që e kanë bërë atë të vlerësohet shumë nga kritikët muzikorë italianë.

Përveç çmimit kryesor të edicionit të 70-të të Festivalit të Sanremos, Diodato fitoi edhe çmimin e kritikës “Mia Martini” dhe çmimin nga salla e shtypit “Lucio Dalla”.

Kjo ishte hera e tretë që këngëtari 39 vjeçar garonte në Festivalin e Sanremos: ai kishte marrë pjesë në vitin 2018 së bashku me Roy Paci në kategorinë kryesore me këngën “Adesso”, dhe një herë tjetër në vitin 2014 në kategorinë e të rinjve me këngën “Babilonia”.

Në Sanremo e tij të parë ai doli i dyti (fituesi ishte Roço Hunt) dhe gjithashtu mori çmimin e jurisë. Nja dy muaj më vonë ai fitoi “MTV Italia Award” dhe në fund të vitit mori edhe çmimin “De André”. Në Sanremon e tij të dytë ai doli i teti.

Përgjatë viteve Diodato ka bashkëpunuar me Daniele Silvestri dhe Boosta të Subsonica, dhe në vitin 2016 ai shkroi këngën “Il mare dentro”, e prezantuar nga Andrea Biagioni në X Factor. Në vitin 2019 ai bëri edhe debutimin e tij të parë si aktor, me një rol të vogël në filmin e Marco Danieli, “Un’avventura”.

 

Nga u frymëzua kënga “Fai Rumore”?

Kur u shpall fitues, Diodato tha se ia dedikon fitoren familjes: “Ia dedikoj familjes time që ka bërë aq shumë zhurmë në jetën time dhe madje dhe këto ditë”.

Por sipas Corriere.it, ka sugjerime se kënga është frymëzuar nga një pjesëmarrëse tjetër në Sanremo, këngëtarja Levante (e 12-ta në renditje).

Mbrëmjen e kaluar Coez iu drejtua këngëtares së re në prapaskenë, duke e pyetur “Fai Rumore të kushtohet ty ee?”

Kjo nuk do të ishte kënga e parë që Diodato i kushton ish-it të tij.

Sipas Ilmessaggero.it, Diodato dhe Levante kanë qenë së bashku që nga viti 2017, pas ndarjes së këngëtares nga ish-burri i saj Simone Cogo. Por ata u ndanë disa muaj më parë. Historia e tyre e dashurisë, praktikisht asnjëherë nuk është reklamuar në mediat sociale, megjithatë u publikua nëpër raportime në media pak kohë më parë.

Po të lexosh me vëmendje tekstin e këngës fituese, është e qartë se si Diodato kthehet tek një ish i tij.

Pavarësisht nëse i është kushtuar Levantes, apo jo, kënga ka patur shumë sukses jo vetëm për shkak se i siguroi atij fitoren, por ka qenë edhe një ndër këngët më të komentuara në mediat sociale, ku fansat e dy artistëve kanë filluar të ëndërrojë për një kthim të tyre.

VINI RE: Informacionet për këtë artikull janë marrë nga IlPost.it Corriere.it dhe Ilmessaggero.it


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *