Udhëheqësja e partisë kryesore qeverisëse të Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka tronditur CDU-në sot duke thënë se do heqë dorë nga drejtimi i partisë dhe nuk do kandidojë për kancelare.
Zonja Kramp-Karrenbauer erdhi në krye të kristian-demokratëve në dhjetor të 2018-ës. Ajo shihej si e preferuara për të marrë përsipër kandidaturën si kancelare gjermane në 2021, e madje në media shpesh konsiderohej si “Mini-Merkel” pasi kancelarja gjermane bëri një fushatë shumë të mirë për zgjedhjen e saj.
Vendimi i Karrenbauer për t’u larguar do të detyrojë CDU-në të riorganizohet nga e para dhe të mendojë për një drejtues të ri. Siç shkruan BBC, vendimi për t’u dorëhequr i lideres së CDU-së vjen pasi ajo u kritikua kohët e fundit për shkak të rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve rajonale në landin e Tyringia-s.
Javën e kaluar, disa nga politikanët lokalë të CDU-së në Thuringia bashkë me partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) votuan për të instaluar një kryeministër rajonal.
Për partitë kryesore bashkëpunimi me AfD-në konsiderohet një tabu, dhe asnjë kryeministër shtetëror nuk ka marrë kurrë më parë detyrën me ndihmën e AfD-së. Pas këtyre zhvillimeve, zonja Kramp-Karrenbauer bëri sot njoftimin e befasishëm se ajo nuk dëshironte të drejtonte më partinë, pasi zhvilloi një takim me anëtarët e CDU-së.
Në këtë takim, Karrenbauer tha se “Ka një marrëdhënie të pasqaruar të pjesëve të CDU-së, me AfD-në dhe Të Majtët”. Ajo pritet të mbetet në pozitë derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja për drejtuesin e partisë në verë.
Si erdhi Karrenbauer në krye të CDU-së?
Annegret Kramp-Karrenbauer e cila në media thirret shkurt AKK, u bashkua me CDU-në në 1981 si një studente 19-vjeçar dhe pasi mbaroi masterin në shkenca politike, nisi rrugën e saj në politikën e nivelit shtetëror.
Ajo u bë gruaja e parë që shërbeu si ministre e shtetit për punët e brendshme në vitin 2000 dhe gruaja e parë që shërbeu si kryeministre në landin e Saarland, një pozicion që ajo mbajti nga 2011-ta deri në 2018-ën.
AKK u propozua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, për t’ë qenë pasardhësja e saj në krye të CDU-së. Ajo u zgjodh me një rekord votash, 98.9%.
Në fjalimin e saj të parë si drejtuese e CDU-së në 2018-ën, pasi i dha fund mbretërimit 18-vjeçar të Merkelit, AKK bëri thirrje për unitetin e partisë.
Gjatë fjalimit të saj të lamtumirës si drejtuese e partisë, zonja Merkel e vlerësoi Karrenbauer për suksesin e saj elektoral të vitit 2017 në Saarland duke e bërë të qartë se e shihte atë si pasardhësen e saj.
Çfarë shkoi keq?
Por ajo ka hasur vështirësi në përpjekjet për të krijuar profilin e saj nën hijen e rëndë të zonjës Merkel. E pikëpyetjet mbi kontrollin e saj mbi CDU-në u rikthyen në vëmendje javën e kaluar, kur politikanët nga dega e partisë në Thuringia u bashkuan me AfD-në.
Vendimi i pazakontë i Merkel për të ndërhyrë në çështje, duke e komentuar si të “pafalshme” bashkëpunimin me AFD-në, e theksuan akoma më shumë mungesën e autoritetit të Kramp-Karrenbauer.
Në prill të vitit të kaluar, AKK u kritikua për një shaka të sajën për banjot transgjinore. Siç shkruan thelocal.de, një muaj më vonë, ajo u përball me një sulm nga Youtubers-at që e akuzuan për një sulm ndaj lirisë së fjalës në internet.
Sipas një shkrimi të Bloomberg të kësaj jave, zyrtarët në selinë e CDU-së në Berlin ishin gjithnjë e më të shqetësuar se liderja e tyre nuk do të jetë një kandidate e vlefshme.
Dhe e fundit që vendosi se Karrenbauer s’mund t’i fitojë zgjedhjet ishte vetë Merkel.
Problemi thelbësor i Kramp-Karrenbauer është votimi i saj. Në një studim të fundit nga transmetuesi publik ARD, vetëm 19% e të anketuarve menduan se ajo do të ishte një kandidate e mirë. Dhe kjo pas shumë përpjekjeve për të ngritur profilin e saj.
Kur Karrenbauer e humbi mbështetjen e Merkel-it
Kramp-Karrenbauer ishte e zgjedhura e kancelares Merkel për ta pasuar atë si shefe e partisë. Por liderja e re u fut në telashe gjatë muajve të parë në detyrë, kur ajo u përpoq ta detyronte Merkel-in të hiqte dorë dhe nga posti i kancelares gjithashtu.
Pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian, Karrenbauer disa herë në publik i bëri presion kancelares gjermane që të jepte dorëheqjen më parë se t’i mbarojë mandati. Bloomberg shkruan se Annegret Kramp-Karrenbauer, i dërgoi një mesazh Merkel duke i kërkuar asaj të jepte dorëheqjen dhe thirri një konferencë partie më 2 qershor në mënyrë që të përpiqej ta detyronte atë.
Kapja e pushtetit dështoi dhe Kramp-Karrenbauer humbi mbështetësen e saj më të rëndësishme. Sipas një personi brenda partisë që foli për Bloomberg, Merkel nuk po përpiqet të dëmtojë Kramp-Karrenbauer, por ajo nuk do të bëjë asgjë për ta ndihmuar atë.
VINI RE: Ky artikull mbështetet tek shkrimet e Bloomberg e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al