Franca pritet të jetë kërcënimi më i madh për Brazilin në 20 vitet e ardhshme, sipas një raporti sekret brazilian të rrjedhur nëpër medie.
Sipas këtij raporti, shkruan France 24, Franca mund të pushtojë Amazonën para 2035-ës. Ambasada franceze është përgjigjur me sarkazëm ndaj këtyre raportimeve. Dokumenti ushtarak ka për qëllim të ridefinojë strategjinë e jashtme të shtetit dhe mund të shtojë problemet me Francën.
Franca ka okupuar mendjet e elitës së ushtrisë braziliane që kur presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ai brazilian, Jair Bolsonaro, ishin ndeshur publikisht vitin e kaluar. Dokumenti dalë në media citon fjalët e ushtarakëve më të lartë të Brazilit, shtetit më të fortë në Amerikën e Jugut.
I quajtur “Skenari i mbrojtjes 2040”, dokumenti i gjatë 45 faqe është bazuar në fjalët e 500 oficerëve të lartë ushtarakë.
Ambasada e Francës në këtë shtet ka reaguar në mënyrë ironike në një postim në Twitter. Ajo ka lavdëruar “imagjinatën e shfrenuar të autorëve të këtij dokumenti”. Edhe pse dokumenti është bërë pas përplasjeve të shumta mes presidentëve, dhe përveç kësaj, Franca njihet si partneri më i madh global i Brazilit në dekadat e fundit.