Vendosni fjalën kyçe....

“Të gjithë ne e dimë që Samiti i KE-së nuk solli çeljen e negociatave” – Soreca bën zbulimin e papritur


Ambasadori i BE-së, Soreca, foli sot për ndryshimet e metodologjisë për sa i përket zgjerimit të BE-së e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pasi vuri syzet ai u ngjit në podium dhe nisi të shpjegojë risitë.

Italiani theksoi sips metodologjisë së re, vendet e BE-së kanë mundësinë të sjellin ekspertë në Shqipëri për të parë zhvillimet në vend e për të bërë vlerësimet.

‘Javën e shkuar KE-ja miratoi metodologjinë e re të zgjerimit. Më lejoni t’iu shpjegoj se çfarë është kjo metodologji e re dhe çfarë ka ndryshuar në proces. Të gjithë ne e dimë që Samiti i KE-së nuk solli çeljen e negociatave, siç kishim shprehur të gjithë. Në veçanti kjo është arsyeja që KE është përpjekur të gjejë pse ka ndodhur kjo dhe të shohë se si procesi të jetë më i parashikueshëm. Ne duam të krijojmë besimin e fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe BE-së. Me këtë metodologji të re, udhëheqësit e BE do të kenë një debat në vit me ecurinë që do kenë bërë këto vende.’ – tha Soreca.

Më tej, shefi i BE-së në Tiranë tha se me ardhjen e ekspertëve nga vendet anëtare të BE-së për të bërë vlerësimin, procesi do jetë më i parashikueshëm, jo siç ndodhi herën e fundit.

‘Ekspertët e shteteve anëtare do jenë pjesë e të gjitha ekipeve që do vijnë të bëjnë vlerësimin, së bashku me zyrtarët e BE. Shtetet anëtare do kenë mundësi të ndjejnë pronësi mbi ato rezultate që do nxjerrin vetë zyrtarët e tyre. Procesi do të jetë i parashikueshëm, ne do duhet të sqarojmë qartë kushtet, që të mos ketë vagullësi në lidhje me mënyrën si gjykohet një shtet kandidat. Ne do t’i shohim të gjitha këto hollësi dhe detaje. Prandaj, është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare të jenë të përfshira në punën monitoruese. Kjo do të ndodhë, duke krijuar grupime kapitujsh të ndryshëm, ne kemi propozuar të kemi 6 fusha me 35 kapituj. Puna do të jetë më dinamike. Edhe për negociatat, puna më pas, do të jetë më gjithëpërfshirëse dhe nuk do të jetë e ndarë në nënfusha.’ – shtoi ai.

Soreca tha gjithashtu se metodologjia e re i përmbush kriteret e vendeve anëtarë, sidomos të atyre që hezituan në tetor të çelin negociatat për anëtarësim të Shqipërisë, duke shtuar se ka besim se ato do çelen në pranverë.

‘Është bërë një thirrje e fortë nga shtetet anëtare, që të kenë mundësi ta kthejnë pas procesin e negocimit, në rast se do të ketë hapa pas pra, do të ketë edhe veprim nga BE. BE do të mund të pezullojë, madje edhe të ndalojë negociatat, nëse do të jetë e nevojshme. Kjo metodologji po diskutohet me shtetet anëtare dhe kemi besim se i përmbush të gjitha kërkesat e shteteve anëtare, në veçanti të atyre që ishin hezituese në tetor. Në këtë mënyrë, besoj se do jemi duke ecur në rrugën e duhur, në lidhje me çeljen e negociatave në pranverë’, tha ambasadori.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *