Drejtuesja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka hequr dorë nga kandidatura për kancelare si edhe nga posti i kryetares së CDU-së.
Siç citon gazeta gjermane Deutsche Welle, ajo ka thënë se “Ka një marrëdhënie të pasqaruar të pjesëve të CDU-së, me AfD-në dhe Të Majtët”.
Annegret Kramp-Karrenbauer u përball me kritika të forta e njerëzit vunë në dyshim autoritetin e saj, për shkak të ngjarjeve në landin e Tyringjisë javën e kaluar, ku një kryeministër liberal (FDP) u zgjodh me votat e partisë populiste të djathtë (AfD) dhe u dorëhoq pak ditë më vonë.
Pas kësaj, Kramp-Karrenbauer vendosi të heqë dorë si nga kandidatura për kancelare ashtu edhe nga pozicioni i kryetares së CDU-së.
Kramp-Karrenbauer, është kundër një bashkëpunimi me AfD dhe Të Majtën. Në të njëjtën kohë është e qartë, që kryesimi i partisë dhe kandidatura për kancelare janë në një dorë.
Ajo tha se në verë do të organizojë procesin e kandidaturës për kancelare, do ta përgatisë partinë për të ardhmen dhe do të dorëzojë postin e kryetares. Njoftohet se Merkel do ta mbajë Kramp-Karrenbauer si ministre të Mbrojtjes.