Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: Dua bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri që kombi ynë s’e ka parë ndonjëherë


Në vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës në Tiranë, Albin Kurti ka deklaruar se synimi i tij është të arrijë një bashkëpunim mes dy vendeve që kombi ynë nuk e ka parë më parë por e ka dëshiruar aq shumë.

Kurti theksoi se ky ka qenë dhe fokusi i bisedimeve të tij me kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka rënë dakord për ngritjen e një komisioni ndërshtetëror të përbashkët.

“Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministër Rama. Unë jam shumë i lumtur që ndodhem sot në Tiranë, edhe një orë bëhet një javë që jam në këtë detyrë të re. Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës si kryeqytet ishte prekazi i kryekomandantit Adem Jashari, qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica e sigurisht që shteti i parë jashtë Kosovës patjetër që duhej të ishte Shqipëria. Ju falenderoj shumë për mikpritjen e bisedën konstruktive që kishim. Unë dua që në këtë dekadë të re të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, që nuk ka pasur ndonjëherë mes dy vendeve tona. Pra Shqipëria e Kosova janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin. U dakorduam, që të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë edhe nga ministra dhe nga deputetë, që ato 77 marrëveshje që janë bërë deri më tani të zbatohen dhe të shtohen edhe marrëveshje të reja.

Me këtë rast dua të falenderoj popullin shqiptar, për ndihmën, përkrahjen e pakursyer e pa rezervë për Kosovën. Kosova nuk do ia dilte para Serbisë në luftë e as në paqe pa Shqipërinë.

Në veçanti dua të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik të prodhimtarisë, arsimit e të politikës së jashtme. Besoj se këto janë fusha për të cilat i kemi preukopimet e njëjta dhe aleatët tanë janë po të njëjtët. Besoj që do ta dëshmojmë se si dy kryeministra të dy shteteve tona do të avancojmë bashkëpunimin tonë në fusha e përmasa që i ka dashur gjithmonë kombi unë por nuk i ka parë.” – tha Kurti.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *