Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka përfunduar takimin me kreun e opozitës Lulzim Basha e më pas është nisur direkt për Prishtinë, duke anuluar takimin me kryebashkiakun Erion Veliaj. Shkak besohet të jetë axhenda e ngarkuar pasi ai ka një takim në Kosovë me ministrin e Jashtëm italian.
Takimet me përfaqësuesit e politikës në Shqipëri kanë zgjatur më shumë nga sa ishte parashikuar, e në veçanti takimi me kryeministrin Edi Rama, gjë që e ka detyruar Kurtin të anulojë fare takimin me kryebashkiakun e Tiranës.
Kurti mbërriti rreth orës 12:00 në selinë e PD-së, ku zhvilloi një takim kokë më kokë me Bashën. Ai ka mbajtur edhe një fjalë të shkurtër.
“Kuvendi e qeveria do bashkëpunojmë, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel jo vetëm zyrtar, por edhe historike për qytetarët që siç e dimë janë me varfërinë më të madhe në rajon. Është obligimi ynë të jemi në shërbim të qytetarëve për të ngritur dinjitetin e tyre.”– tha Kurti.
Basha nga ana tjetër tha se prioritetet e opozitës për Koso0vën janë të qartë, për lëvizjen e lirë dhe ndalimin e shpopullimit.
“Prioritetet tona janë të qarta për kosovarët. Do bëjmë gjithçka për të ndihmuar në lëvizjen e lirë, për të ndalur shpopullimin. Mbështetje të fuqishme për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ashtu si dhe heqjen e vizave. Kosovarët dhe Kurti mund të mbështeten plotësisht te PD dhe opozita e bashkuar.”– tha Basha.
Më herët Kurti ishte në Presidencë në një takim me presidentin Ilir Meta, dhe më pas me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Në këto dy takime nuk kishte prani të mediave, ndërsa pas takimit me kryeministrin Edi Rama pati të vetmen konferencë publike.