Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka ngritur pikëpyetje lidhur me makinën me të cilën ditën e djeshme Kryeministri Rama u detyrua për tu larguar nga selia rozë pas arrestimit të Vladimir Gjutës në afërsi të zonës i pajisur me armë zjarri sipas policisë.
Sipas Bardhit, makina tip “Lincoln” me të cilën u largua kryeministri me targë TR 0370 T, e blinduar është mjet privat i Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit.
“Çfarë fshihet pas TR 0370 T?!
Edi Rama lëvizi dje me një fuoristradë të blinduar private, në shkelje të shumë rregullave shtetërore. Makina private, “Lincoln” e blinduar, me targën TR 0370 T, me të cilin u largua Rama nga Partia Socialiste është automjeti privat i Olsi Ramës. Si i tillë, automjeti është i paprekshëm nga Policia, njësoj si Audi AA 003 GB i Saimir Tahirit, me të cilin lëviznin lirshëm trafikantët e drogës të bandës së Habilajve.
Duke qenë se OFL e Edi Ramës po mburret me ndalimin e mjeteve të blinduara, pse nuk e ndalon për verifikim edhe Lincolnin e blinduar të Olsi Ramës, që përdoret në shkelje të ligjit nga i vëllai Kryeministër?
Ndërsa Edi dhe Olsi Rama duhet të japin vetë përgjigje për një pyetje të thjeshtë: Në çfarë aferash është përfshirë dhe çfarë e rrezikon Olsi Ramën, që është detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e ndërtuar për të përballuar plumbat?!”-shkruan Bardhi.