Deputeti i Parlamentit Europian, greku Ioannis Lagos, i cili grisi një flamur turk, u ndëshkua, njoftoi Presidenti i PE-së, Sassoli.
Për përdorimin e gjuhës fyese dhe copëtimin e simboli kombëtar turk, Lagos është pezulluar nga veprimtaritë e tij parlamentare për katër ditë rresht duke filluar nga 11 shkurt si dhe do paguajë një gjobë prej 2,261 eurosh.
Incidenti ndodhi gjatë seancës së fundit plenare në janar, kur ligjvënësit e BE-së po debatonin për situatën humanitare në ishujt grekë. Lagos akuzoi BE-në për injorimin e të drejtave të grekëve dhe përshkroi një situatë dramatike në Greqi.
Ai fajësoi Turqinë për ‘rrjedhën e migrantëve që hyjnë në vendin e tij’ e më pas grisi një flamur turk të bërë me letër duke thënë: ‘Le t’i japim fund kësaj’.
Lagos është një nga figurat më të spikatura të Agimit të Artë, një parti politike raciste e ekstremit të djathtë në Greqi. Në vitin 2019, ai u shpall fajtor për sulmin kundër një qendre komunitare në Athinë që pret azilkërkuesit.