Operacioni “Forca e Ligjit” këtë radhë ka shënjestruar dy personazhe të tjerë të botës së krimit e ata janë Emiljano Shullazi dhe Gjergj Cukali. Zëdhënësja e OFL-së, u kërkoi Shullazit e Cukalit që të deklarojnë pasurinë e tyre brenda 48 orëve.
Emiliano Shullazi është një personazh i njohur i botës së krimit në vend. Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor për përvetësim pasurie, kërcënim, e grup të strukturuar kriminal dhe e dënoi me 14 vjet burg. Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.
Gjergj Cukali është një tjetër personazh i njohur i drejtësisë, i cili shpesh në media identifikohet si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”. Cukali ka qenë i arrestuar për trafik droge, por edhe për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali, ngjarje për të cilën u lirua pas disa muajsh.
Një tjetër ngjarje për të cilën ai akuzohet, është pengmarrja e Fatjon Demirlikës, në vitin 2004, për një konflikt për 100 mijë euro. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.
NJOFTIMI I OFL-së
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në këtë kuadër OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
– E. Sh, me banim në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi ndaj tij po zhvillohet gjykimi për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
– Gj. C., me banim në Tiranë, pasi në vitin 2006, Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL, që prej nisjes së operacionit e deri sot, u ka dërguar kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 13 personave, si dhe ka sekuestruar: një vilë, një karburant, 6 banesa, 3 automjete dhe 1900 m2 truall, arë.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.