Vendosni fjalën kyçe....

Panik në metronë e Moskës prej një shakaje pa kripë për koronavirusin, arrestohet blogeri rus (VIDEO)


Një person rrezikon të dënohet deri në pesë vjet burg për shkak të një shakaje pa kripë që ka bërë në metronë e Moskë, për hir të klikimeve në “Youtube”.

Ky është çmimi i lartë që ai mund të paguajë pasi u fut në një tren në metronë e Moskës, me maskë në fytyrë, ai ecën e më pas bie papritmas në dysheme dhe filloi të dridhet në agoni.

Disa djem të tjerë i afrohen për t’i ardhur në ndihmë por më pas largohen të tmerruar duke bërtitur: koronavirusi, koronavirusi.

Sigurisht kjo ishte e gjitha një shaka nga ana e blogerit Karomat Dzhaborov dhe miqve të tij. E gjithë skena u filmua në kamera dhe u ngarkua në internet një javë më parë. E të shumtë e panë atë përfshirë dhe policinë e cila e arrestoi blogerin për përhapjen e panikut.

Siç shkruan RT, të rinjtë janë akuzuar dhe për huliganizëm, që është një vepër mjaft e rëndë për të cilën ligji parashikon një dënim maksimal prej pesë vjet burg ose gjobë të kripur.

Pasi mësoi për akuzat kundër tij, vetë Dzhaborov u dorëzua në Prokurori. Avokati i blogerit tha që klienti i tij nuk priste që shakaja e tij të çonte në pasoja të tilla të ashpra. Ai pretendoi se synimet e Dzhaborov ishin të mira kur ai vuri në skenë lojën.

 “Qëllimi ishte të tërhiqnim vëmendjen e publikut për mungesën e maskave në fytyrë, për problemin e koronavirusit dhe nevojën që njerëzit të mbrohen me maska”- shpjegoi avokati.

Por janë hetuesit ata që tani do të vendosin për Dzhaborov, i cili është lënë në burg për 30 ditë, në pritje të hetimit. Deri më tani, në Rusi janë regjistruar vetëm dy raste të koronavirusit. Të dy pacientët janë shtetas kinezë që kishin mbërritur kohët e fundit në vend.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *