Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas takimit me Kurtin: Folëm për mbledhjen e 2 qeverive në Shkodër


Pas takimit, kryeministri Edi Rama dhe homologu i Kosovës Albin Kurti, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët.

Rama tha se në këtë takim ka diskutuar me Kurtin për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që sipas tij, do të zhvillohet së shpejti në Shkodër.

 “Ishte kënaqësi për ne të mirëprisnim delegacionin e kryesuar nga kryeministri i sapo dekretuar i Kosovës. Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re, në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë e gatishmëri të plotë reciprokisht.

Kemi rëndë dakord që të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë dhe aty u dakordësuam për Shkodrën, por një vakuum mes të dy mbledhjeve na imponon të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe jo vetëm kaq, por do të vendosim në funksion ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat dhe zbatimin e tyre dhe për t’ua adresuar mbledhjeve të dy qeverive.”- tha Rama.

Ai shtoi se me Kurtin ka diskutuar edhe për “Mini-Shengenin Ballkanik”, për të cilin, sipas tij mbetet prioritet kryesor mbetet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës dhe njohja e saj.

“Kemi diskutuar me kryeministrin edhe për procesin e Berlinit, dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të BE në rajonin tonë, ku bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve për ne. Për mua, nëse finalizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve, dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, të kapitaleve e shërbimeve, nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap, për të hequr kufirin mes të dy shteteve dhe për ta bërë hapësirën e përveçme të secilit shtet një hapësirë të përbashkët lëvizjeje, ndërveprimi, bashkëpunimi.

Në fund, dua të theksoj se ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës, në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë përfundimtar si një shtet sovran, demokratik, në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet”, tha Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *