Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan kërcënon Sirinë nëse sulmohen forcat turke në Idlib


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të mërkurën se nëse sulmohet edhe një ushtar turk, ushtria e shtetit që ai udhëheq do të sulmojë forcat siriane të mbështetura nga Rusia, gjithandej nëpër Siri.

Erdogan ka thënë se Turqia është e vendosur që të largojë forcat siriane përtej zonave që mbikëqyrin trupat turke në provincën Idlib, andaj u ka bërë thirrje rebelëve sirianë që të mos u japin forcave qeveritare arsye për të sulmuar.

Dhuna ka shpërthyer në Idlib, javë më parë, pasi forcat qeveritare të përkrahura nga Rusia dhe Irani kanë zgjeruar fushatën e tyre për të fituar kontrollin e zonës së fundit që drejtohet nga rebelët në Siri.

Për pasojë, edhe Turqia, që është e lidhur me disa grupe rebele në Siri ka kryer sulme të martën, pasi 13 ushtarë turq janë vrarë në 10 ditët e fundit, raporton Rel.

“Nëse u krijohet edhe plaga më e vogël ushtarëve tanë, unë po them sot se do të qëllojmë forcat e regjimit kudo që janë, pavarësisht kufijve të Idlibit dhe marrëveshjes së Soçit”, ka thënë Erdogan, duke iu referuar paktit për armëpushim të nënshkruar më 2018.

Qeveria Siriane në anën tjetër i ka përshkruar deklaratat e Erdoganit si “shkëputje nga realiteti”.

“Kreu i regjimit turk vjen me deklarata boshe, një person i shkëputuar nga realiteti”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar një burim të ministrisë së Jashtme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *