Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka cilësuar koronavirusin rrezikun numër një në botë, madje edhe më të rrezikshëm se terrorizmi.
Sipas tij, koronavirusi “mund të bëjë kërdinë”. Ai u bëri thirrje vendeve të përgjigjen fuqishëm ndaj koronavirusit, duke shtuar se një mosveprim i menjëhershëm do të kishte pasoja shumë të mëdha.
“Për të qenë i sinqertë, një virus është më i fuqishëm në krijimin e trazirave politike, ekonomike dhe sociale sesa çdo sulm terrorist”, tha Ghebreyesus.
OBSH e ka quajtur zyrtarisht koronavirusin CoVID-19 dhe Ghebreyesus shpjegoi se emrat e tjerë janë të pasaktë.
Drejtori i Përgjithshëm kërkon nga shtetet që ta “godasin fort” këtë koronavirus, përpara se të rritet numri i rasteve jashtë Kinës.
“Bota duhet të zgjohet dhe ta konsiderojë këtë virus armik si armikun publik numër një”, tha Ghebreyesus, citon The Guardian.
Virusi ka vrarë më shumë se 1.000 njerëz, ka infektuar më shumë se 42,000 dhe ka arritur të paktën 27 vende.
Pavarësisht masave serioze në Kinë, Ghebreyesus parashikoi se statusi aktual i rasteve të kufizuara ndërkombëtare nuk mund të “qëndronte i njëjtë për shumë kohë”.
“Ky është një armik i zakonshëm dhe ne duhet ta luftojmë atë duke përdorur mundësitë dhe ta luftojmë atë”, tha Ghebreyesus. “Ne nuk duhet ta humbim këtë mundësi. Nëse e humbasim, do të pendohemi”.