Presidenti i autoritetit palestinez Mahmoud Abbas i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit së Kombeve të Bashkuara që të mos e pranojë propozimin e paqes së paraqitur nga Presidenti Donald Trump, ndërsa la të hapur mundësinë për negociata me Izraelin.
“Jam para jush në emër të 13 milionë palestinezëve për të kërkuar një paqe të drejtë. Zonja dhe zotërinj, jam këtu për të ripohuar pozitat e palestinezëve që hedhin poshtë propozimin izrealito-amerikan.”
Në një fjalim prej 35 minutash në sallën e Këshillit të Sigurimit, zoti Abbas shprehu zemërimin e tij lidhur me territorin e propozuar për një shtet të ardhshëm palestinez sipas propozimit të zotit Trump.
“Ky plan nuk do të sjellë paqe apo stabilitet në rajon. Kështu që ne nuk do ta pranojmë këtë plan. Do t’i kundërvihemi zbatimit të tij. Kjo është përmbledhja e projektit që na u prezentua. Ky është shteti që ata do të na japin. Shikoni sa të meta ka”.
Sipas planit, palestinezët do të “dyfishojnë” territorin, por duhet të japin një të tretën e Bregut Perëndimor, që Izraeli të ketë një kufi në perëndim. Në shkëmbim, administrata e Presidentit Trump propozoi që palestinezët të marrin dy territore të veçanta në shkretëtirën Nagev. Plani parashikon të përcaktojë që pjesën lindore e Jeruzalemit të jetë kryeqyteti i shtetit të propozuar palestinez, përcjell VoA.
Zoti Abbas tha se palestinezët e refuzuan propozimin pasi anon tërësisht në favor të Izraelit, duke mos u dhënë atyre një shtet sovran, me territor të pashkëputur, duke zgjidhur çështjen e refugjatëve palestinezë.
“Kjo marrëveshje nuk është partneritet ndërkombëtar. Ky është propozim i një shteti, i mbështetur nga një shtet tjetër, që kërkon t’i imponohet botës për të krijuar legjitimitet ndërkombëtar.”
Udhëheqësi palestinez shtoi se Amerika nuk mund të jetë më ndërmjetësi i vetëm në Lindjen e Mesme, ndërsa bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare që do të ringjallte grupin e katërshes ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e akuzoi zotin Abbas si të pasinqertë dhe madje pengesë për një marrëveshje përfundimtare.
“Zoti president të mos i biem rreth e rrotull. Për aq kohë sa Presidenti Abbas të mbetet në postin e tij nuk do të ketë përparime drejt paqes, ky është realiteti. Izraeli dhe palestinezët do të përparojnë vetëm kur ai të largohet. Një udhëheqës që zgjedh refuzimin, që nxit dhe hyjnizon terrorin nuk mund të bëhet kurrë një partner i vërtetë për paqen.”
Ambasadorja amerikane në OKB, Kelly Craft, e cilësoi deklaratën e zotit Abbas si një “retorikë të egër” duke thënë se palët duhet të ndalojnë akuzat e ndërsjella dhe të fillojnë të bisedojnë me njëra-tjetrën.
“Do të theksoja, kryesisht për ata që shprehin shqetësime, se plani ofron diçka thellësisht domethënëse për popullin palestinez: një perspektivë realiste që ky politikanët e tanishëm të arrijnë të shohin gkjatë jetës së tyre një shtet palestinez të vetëqeverisur dhe plotësisht të njohur. Plani e pranon se një zgjidhje politike për konfliktin nuk është e mjaftueshme për t’u siguruar që populli palestinez i ka të gjitha mundësitë e nevojshme për të lulëzuar.”
Pjestarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit ishin skeptikë. Disa shprehën shqetësime se parametrat e dakordësuara ndërkombëtarisht po liheshin mënjanë dhe po merreshin veprime të njëanshme.
Palestinezët fillimisht kishin kërkuar votimin e këshillit prej 15 anëtarësh për një projektrezolutë që ripohon parametrat ndërkombëtarë për zgjidhjen e konfliktit dhe bën thirrje për një zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë e para vitit 1967. Por pas kundërshtimeve dhe amendamenteve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe ndryshimeve nga Britania, votimi u shty.