Vendosni fjalën kyçe....

Rama flet si kreu i KPK-së: Gjykatës e prokurorë të korruptuar, s’kanë shans ta kalojnë vetingun


Kryeministri Rama ka deklaruar sot nga foltorja e Kuvendit se Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë do i jepet sot kompetenca për të nisur verifikimet dhe goditjen ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar.

Ai tha se të gjithë të korruptuarit do verifikoheshin për pastërtinë e figurës për të vijuar më tej te hapja e proceseve penale ndaj tyre e burgosja.

‘Është fakt se në këtë fazë, ku reforma në drejtësi, po vazhdon të zbatohet dhe ku vetingu po vazhdon të pastrojë llumin nga pallati i drejtësisë, një pjesë jo e vogël e llumit, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, që s’kanë asnjë shans të kalojnë vetingun, kanë hyrë në fazën e fundit të karrierës së tyre të shkurtuar nga reforma në drejtësi, të cilës po i vjen fundi, me një përshpejtim marramendës të aktivitetit të tyre kriminal.’ – tha Rama.

Me deklaratën e mësipërme Rama nuk foli në cilësinë e kryeministrit por të kreut të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucioni që po merret me vetingun e gjyqtarëve e prokurorëve.

Ajo që mbase kreu i qeverisë e ka ‘harruar’ është se teksa flet për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, e kaloi vetingun edhe pse nuk justifikonte 99 milionë lekë sipas Inspektoriatit të Pasurisë, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e hodhi poshtë raportin e inspektoriatit me justifikimin se Dvorani kishte harruar të plotësonte një nga dokumentet e deklarimit të pasurisë.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Dvoranit, kursimet prej 99 milionë lekësh janë deklaruar në deklaratën periodike vjetore të subjektit ndërsa mosdeklarimi në deklaratën e vetingut ka qenë pasaktësi dhe jo fshehje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *