Pas rastit të denoncuar në emisionin “STOP” ku një mësues i kërkonte favore seksuale një nxënëseje, policia e Fierit ka shoqëruar dhe më pas ndaluar mësuesin që shfaqet në video.
Filmimet janë realizuar në shkollën Jakov Xoxa, ku mësuesi 63-vjeçar Agron Bego, i thoshte vajzës së shkollës së mesme që nuk do të përjashtohej nga shkolla për shkak të mungesave në këmbim të intimitetit.
“Në lidhje me rastin e publikuar mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Stop”, ku bëhej fjalë për ngacmimin seksual të një nxënëseje nga mësuesi, Policia menjëherë ka bërë shoqërimin e shtetasit A. B., 63 vjeç, banues në Fier.
Në përfundim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, bënë ndalimin e shtetasit A. B., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës ë Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Mësuesi rezultonte se ishte edhe burri i drejtoreshës së shkollës.