Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Macron i kërkon Kurtit heqjen e taksës, i premton samit me Merkelin, Borrellin dhe Vuçiç


Brenda 24 orëve, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë dy letra të nivelit të lartë, të cilat i kërkonin atij të hiqte tarifën e vënë nga paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në mënyrë që t’i hapej rruga rifillimit të dialogut të ngecur me Serbin.

Zyra e Kurtit të enjten publikoi një letër nga sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ku thuhej se pas një bllokade 15-muajshe, “është koha të arrihet normalizimi i plotë me Serbinë, i përqendruar mbi njohjen reciproke, e cila është esenciale për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës”.

Pompeo po ashtu i ka shkruar Kurtit se “heqja e tarifës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të ishte e rëndësishme për t’i kthyer palët në tryezën e negociatave”.

“Shpresojmë se ju do ta bëni këtë prioritet dhe do të shfrytëzoni ritmin e krijuar nga planet për rivënien e linjave ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, para letrës së Pompeos, Kurti ka marrë një tjetër të rëndësishme, nga Franca.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marine Christine Butel, i ka sjellë Kurtit një letër të shkruar e të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, raportojnë mediat franceze.

Në letër, Macron fillimisht e ka uruar Kurtin për marrjen e postit të kryeministrit të Kosovës, pas negociatave disamuajshe mes partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Presidenti francez i ka kërkuar Kurtit ta heqë taksën ndaj Serbisë, duke u shprehur i gatshëm të organizojë një samit Kosovë-Serbi, bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Hapi i parë duhet të jetë rifillimi i dialogut, për të cilin jam i gatshëm të ndërmjetësoj, duke organizuar një samit në Paris, së shpejti, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, në bashkëpunim me kancelaren Merkel dhe përfaqësuesin e lartë të BE’së, Borrell”, ka shkruar Macron.

“Rifillimi i dialogut nënkupton veprime nga të dyja palët: pezullimin e tarifës prej 100 për qind nga Kosova, dhe pezullimin e fushatës kundër njohjeve të Kosovës nga Serbia”, ka thënë presidenti i Francës, në letrën dërguar Kurtit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *